Rama: Çështja e Demarkacionit problem i shpikur, rrezikoi seriozisht Kosovën

21:40 | 16 Shkurt 2018
Trina Galanxhi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë në emisionin Zona e Pavarësisë në Klan Kosova se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës.
 Sipas Ramës, kjo ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”, ka pohuar Rama, njofton Klan Kosova.

“Demarkacioni do të çlirojë më në fund popullin e Kosovës nga pengesa e tmerrshme e vendosur nga BE-ja për të lëvizur lirisht në Europë, pasi nuk ka qenë e drejt që kjo lëvizje të kushtëzohet me demarkacionin dhe është e turpshme për Bashkimin Europian. Këtë ua kam thënë në sy të gjithëve atyre që kam takuar në BE”.

“Por çështja e Demarkacionit ka edhe një komponentë tjetër; ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ka rrezikuar besimin dhe mbështetje e partnerëve strategjikë të Kosovës dhe shqiptarëve, pasi refuzimi për ta ratifikuar këtë marrëveshje është mungesë serioziteti nga Kosova”.

“Në ndërkohë që miqtë e mëdhenj të shqiptarëve janë të angazhuar në zgjedhjen e problemit real mes shqiptarëve dhe serbëve, demarkacioni është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës që nuk ka asnjë bazë reale dhe që është një padrejtësi ndaj njerëzve të këtij vendi”.

“Por unë kam ndeshur një mur të shurdhër sa herë kam folur për këtë dhe sa herë kam përcjell këtu atë që kam dëgjuar në takimet me homologë në nivelet më të larta të marrëdhënieve ndërkombëtare”.

“Atëherë më është dashur që edhe publikisht të them atë që duhet të thënë dhe shpresoj shumë që Kuvendi i Kosovës të ratifikojë këtë marrëveshje dhe ta mbyllë këtë kapitull që duhet harruar një orë e më parë, pasi ka ngritur pikëpyetje në sytë atyre që e lindën shtetin e Kosovës pa asnjë arsye dhe është e pajustifikueshme nga pikëpamja strategjike të bësh gabim të kësaj natyre”./klan kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme