Rakiq urdhëron ndërprerjen e punimeve në Mitrovicë

11:18 | 19 Prill 2017
M. A.

Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka urdhëruar sot ndërprerjen e të gjitha punimeve në urën e Ibrit dhe sheshit ‘Kral Petar’ në veri të Mitrovicës.

Ai i ka thënë KosovaPress-it se ka kërkuar nga organet ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë, angazhim më të madh për sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, një vendim i tillë për ndërprerjen e punimeve ndërlidhet me incidentet e fundit në këtë qytet, dhe ka kërkuar nga përfaqësuesit e BE-së të respektohet marrëveshja e Brukselit dhe mbi të gjitha që qytetarëve t’u garantohet siguria.

Ai po ashtu ka bërë thirrje KFOR-it dhe policisë që të shtojë prezencën e pjesëtarëve të tyre në këtë qytet, si dhe kontrollimin dhe identifikimin e personave, sidomos në lagjet e banuara me popullatë të përzier.

“Incidentet e fundit që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës, meritojnë për t’u gjykuar. Përgjegjësit duhet të gjenden dhe të sanksionohen rreptë”, ka thënë për KosovaPress Rakiq.

Ndryshe, gjatë natës së mbrëmshme në veri të Mitrovicës persona deri tani të panjohur kanë sulmuar B.K. rreth 40 vjeçar të nacionalitetit serb, me ç’rast viktima ka pësuar lëndime dhe pas trajtimit mjekësor është liruar në shtëpi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme