Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund t’ia lejojë vetës që ta lë Kosovën në plan të dytë kur bëhet fjalë për integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Në këtë kontekst të ndërlikuar gjeopolitik kur flasim për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor, ne nuk mund t’i lejojmë vetës që lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë. Arritja e marrëveshjes së tërësishme për neutralizimin e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit është me rëndësi kyçe për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë veçanërisht në kontekstin e ndërlikuar gjeopolitik në të cilin ndodhemi”, theksoi Radev në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në integrimin euroatlantik.
“Bullgaria është vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës dhe në këtë drejtim ju mund të shpresoni në mbështetjen tonë të vazhdueshme për përpjekjet e tuaja për ndërtimin e Kosovës si një shtet model demokratik, me institucione të fuqishme dhe i integruar plotësisht në sistemet ndërkombëtare”, tha Radev.
I pari i shtetit bullgar tha se do të japë ndihmën e saj për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai tha se Bullgaria është një prej motorëve të anëtarësimit të gjitha vendeve në Bashkimin Evropian.
“Përshëndes përpjekjet që bën Kosova në këtë drejtim. Ne e dimë sa e vështirë është të bëhen të gjitha këto reforma në fushën e drejtësisë, në administrimin e mirë, në luftën kundër trafikut të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bullgaria do të vazhdojë të ngulë këmbë para institucioneve evropiane që të gjitha këto suksese të merren parasysh”, shtoi Radev.
Ai tha se Bullgaria do të mbetet gjithmonë e angazhuar në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, sepse kjo sipas tij është me rëndësi kyçe për të ardhmen jo vetëm të Ballkanit por të gjithë Bashkimit Evropian.
I pyetur për situatën Kosovë dhe Serbi dhe provokimet që vijnë nga kjo e fundit, presidenti bullgar theksoi se Serbia është në proces integrues në BE dhe ky proces do të ndikohet varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.
“Mos të harrojmë që Serbia është në proces bisedimi me BE-në për anëtarësim dhe ky është instrument i fuqishëm për rregullimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Serbisë. Sa i përket Bullgarisë, ne vazhdojmë të këmbëngulim për dialog, si mënyrë e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe paralelisht zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara. Kjo është e vetmja rrugë dhe e ardhmja e rajonit tonë”, tha Radev.
Ai tha se Bullgaria është kategorikisht kundër provokimeve të armatosura dhe dhunës.
“Shprehim shqetësim për situatën në veri të Kosovës dhe shprehim keqardhjen tonë që një pjesëtar i Policisë së Kosovës humbi jetën gjatë sulmit në Banjskë. Gjithashtu ne ngulim këmbë që BE të ketë një rol aktiv për dialogun intensiv dhe gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin. Politika e BE-së duhet të jetë transparente dhe objektive për çdo palë të përfshirë dhe të jetë si nxitje pozitive por ashtu edhe masë ndëshkuese nëse nuk zbatohen angazhimet”, tha ai.
Ai shprehu kënaqësinë e tij për bisedën e tërësishme me presidenten Osmani dhe vlerësoi lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Shqyrtuam hapa konkret për zhvillimin e marrëdhënieve tona në perspektivë. Ne ndajmë bindjen se me gjithë tendencën pozitive të shkëmbimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, ende ka potencial të pashfrytëzuar, prandaj ka shumë rëndësi të aktualizojmë një pjesë të memorandumeve tashmë të lidhura dhe të zgjerojmë bazën juridike me marrëveshje të reja”, tha presidenti bullgar.
Ai tha se në këtë takim u shqyrtuan masat konkrete për fillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në energjetikë, në investime në bujqësi, arsim, kulturë dhe turizëm./rtk
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...