I akuzuari për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Rade Basara, në seancën e së enjtes, ka ndryshuar qëndrimin e tij sa i përket paraqitjes së mbrojtjes, pasi që i njëjti më parë ishte deklaruar në pyetjet e mbrojtësi të tij, avokatit Tomë Gashi, ndërsa tani e tutje tha se do të mbrohet në heshtje.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Basara, mbrojtjen e tij e kishte filluar në seancën e 11 qershorit 2024, ku i njëjti ishte përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij, Tomë Gashi.
Ndërsa, në seancën e 12 qershorit 2024, ai kishte vazhduar deklarimin e tij, me marrjen në pyetje nga prokurori special Burim Qerkini dhe disa pyetje nga trupi gjykues, por kjo seancë ishte ndërprerë kur trupi gjykues kuptoi se avokati Dejan Vasiq (mbrojtës i të akuzuarit Dragisha Markoviq) kishte autorizuar praktikantin e zyrës së tij për përfaqësim.
Por, në seancën e sotme i akuzuari Basara, deklaroi se dje pas seancës, kishte pasur probleme shëndetësore me ç’rast kishte përfunduar edhe në emergjencë, që për këtë ai i dorëzoi gjykatës edhe raportet mjekësore.
“Mu më kanë sugjeruar që të mbetem në spital dhe unë kam refuzuar pasi që kemi të bëjmë edhe me vonesën e seancës dhe nga ky moment unë do të mbrohem në heshtje, sepse nuk jam në gjendje që ta përcjell këtë proces, sepse kam probleme shëndetësore të mëdha”, tha i akuzuari Basara.
I njëjti shtoi, se nuk qëndron pranë deklarimeve të dhëna në seancën e 12 qershorit 2024, për shkak se nuk ishte ndjerë mirë me shëndet.
I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, se përse këto shqetësime nuk i ka paraqitur në seancën e djeshme, Basara tha se dje gjatë seancës nuk i ka ndjerë, por më vonë ishin shfaqur ato.
“Unë marrë terapi dhe mundohem që ta mbaj nën kontroll shtypjen e gjakut, gjithashtu marrë terapi edhe për aritmi, unë dje nuk i kam ndjerë as marramendjen por as ndonjë problem, por vetëm mu ka ter goja si tani dhe kur kam shkuar mbrëmë tek mjeku ai më ka thënë se aritmia është vrasës i fshehtë dhe atë duhet me kontrollu kohë pas kohe”, tha i njëjti.
Lidhur me këtë ndryshim të qëndrimit nga ana e të akuzuarit Basara, prokurori Qerkini, kërkoi nga trupi gjykues që i njëjti të pyetet nëse ky ndryshim qëndrimi ka ardhur si rezultat i ndonjë presioni, kërcënimi, shantazhe apo diçka tjetër.
“Mirëpo duke u nis nga të gjitha seancat e mëparshme që ka qenë insistimi në një farë forme i të pandehurit Rade Basara që të deklarohet, ne vetëm ta kemi përgjigjen e tij që a ka arsye tjera që kjo mbrojte në heshtje është rezultat i ndonjë pjese tjetër apo presioni, kërcënimi apo diçka tjetër”, tha Qerkini.
Në anën tjetër, avokati Gashi tha se juridikisht deklarata e tij e djeshme është nule (e pa vlefshme), pasi që praktikanti e ka zëvendësuar avokatin Vasiq, e sipas tij, nëse lejohet që kjo deklaratë të hyjë në shkresat e lëndës është shkelje e rëndë esenciale e dispozitave të procedurës penale.
“…shkelej esenciale që hala pa shku në Gjykatën e Apelit prishet, besoj që kurrkush s’ka qëllim me ardh me u marr edhe një herë me këtë lëndë”, tha tutje Gashi.
Përfundimisht, i akuzuari Basara deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë në fazën e hetimeve si dhe deklaratën e dhënë në seancën 11 qershorit 2024, por nuk qëndron pranë deklarimeve të dhëna në seancën e 12 qershorit 2024, e që tani e tutje do të mbrohet në heshtje.
Gjithashtu, ai tha se ky ndryshim i qëndrimit lidhur me deklarimin e tij nuk ka të bëjë me asnjë lloj presioni, por vetëm gjendja e tij shëndetësore.
Më pas, trupi gjykues mori vendim me të cilin ka anuluar të gjitha veprimet e ndërmarra në seancën e djeshme (12 qershor 2024), për shkak të pjesëmarrjes në seancë gjyqësore personit në cilësi të mbrojtësit i cili nuk ka mundur të jetë.
Palët në procedurë tutje deklaruan se nuk kanë ndonjë propozim tjetër për administrim të ndonjë prove, me ç’rast u konsiderua e përmbyllur kjo fazë e procedurës dhe në seancën e radhës pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët.
Paraprakisht, në këtë seancë, avokati Vasiq është gjobitur me 350 euro pasi që në seancën e kaluar kishte dërguar praktikantin e zyrës së tij, Goran Mitroviq, të përfaqësonte në vend të tij.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. Detajet nga aktakuza, mund t’i gjeni: KËTU.
Ndërsa, më 27 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...