Raci: Qëndrimi i Bidenit se deri më 2024 të zgjidhet problemi Kosovë – Serbi duhet të shfrytëzohet

00:21 | 1 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Ish-pjesëmarrësi në dialogun Kosovë – Serbi, Gazmir Raci, e ka komentuar vizitën e dy emisarëve, atij të ShBA-së, Gabriel Escobar, dhe atij të BE-së, Miroslav Lajçak.

Raci tha se vizita e tyre është shumë e rëndësishme, ku të tilla ishin edhe mesazhet, ku sipas tij, nga pala amerikane u konstatua si fillim i ri me një dëshirë për t’i dhënë energji të re dialogut.

Për Racin, i rëndësishëm ishte edhe qëndrimi i Kosovës, si ai i Kurtit, i cili tha se integrimi evropian dhe ai euroatlantik janë të panegociueshëm për Kosovën, teksa shtoi se porosia kryesore për Kosovën është që ajo duhet të vazhdojë të jetë në dialog.

“Në këtë rast, përfundimisht Kurti e sqaroi qëndrimin e tij karshi ShBA-së dhe me BE-në”.

“Porosia kryesore është që Kosova duhet të vazhdojë të jetë në dialog, besoj se është kërkuar që Kosova të jetë konstruktive që të ecet drejt finales, ku e kemi qëndrimin e Bidenit, ku në mes tjerash ai e ka prioritet që deri më 2024 të zgjidhet problemi mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Raci në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se pret nga Kosova që t’i definojë disa pozicione në raport me Bashkimin Evropian, ku njëri prej tyre është liberalizimi i vizave.

“Unë pres nga Kosova që t’i definojë disa pozicione në raport me BE-në. E para është liberalizimi i vizave, se kur do të përfundojë kjo sagë. Kjo duhet të jetë hapi i parë që ne duhet të kërkojmë nga BE-ja qartësi, sepse janë plotësuar të gjitha kushtet”, ka thënë Raci, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se pozicion me rëndësi për Kosovën është se duhet të qartësohet ajo se a është e gatshme BE-ja ta hapë vetën për anëtarësime të reja dhe nëse po, kur.

“Ne duhet ta dimë qartë se a jemi duke shkuar drejt BE-së dhe në çfarë afate kohore që ne të përgatitemi përbrenda me strategjinë tonë”, ka thënë Raci.

Ndërsa, për të, pozicioni i tretë më i rëndësishëm është qartësimi i pozicionit se a i hap rrugë Kosovës marrëveshja finale në OKB.

“Dhe e treta që është shumë e rëndësishme, marrëveshja finale a na hap neve rrugë në OKB dhe cili do të jetë roli rus në OKB në atë moment, për shkak të krizës së Ukrainës”.

“Jemi në fazën kritike për shkak të krizës së Ukrainës dhe Rusisë dhe duhet të jemi vigjilent që kriza në atë vend të na shtyjë në zgjidhjen e problemit që e kemi me Serbinë”, ka thënë Raci.

Të ngjashme