Qytetarët tregojnë nëse janë pro apo kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë

08:02 | 22 Korrik 2020
Arbresh.info

Ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë tashmë ka nisur.

Por, ndërtimi i saj, po kundërshtohet nga disa persona, të cilët edhe kanë paralajmëruar protesta në kundërshtim të ndërtimit të saj.

Binak Gashi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë pjesë e OVL-së së UÇK-së, është njëri nga ata që ka paralajmëruar protestë sot (e mërkurë) në kundërshtim të ndërtimit të kësaj xhamie.

Ai, përmes një postimi në Facebook kishte ftuar qytetarët që të mërkurën në ora 11:00 të dalin në protestë, e cila sipas tij do të mbahet pikërisht para vendit ku ka nisur ndërtimi  i xhamisë.

Gashi, po e quan projektin e kësaj xhamie, projekt të arkitekturës mesjetare osmane.

Qytetarët: Jemi pro ndërtimit të kësaj xhamie, paralajmërimet për protesta janë të palogjikshme

Portali arbresh.info ka pyetur qytetarët në kryeqytet nëse përkrahin apo jo ndërtimin e këtij objekti fetar në kryeqytet.

Ata, thonë se kryeqyteti ka nevojë për një xhami si kjo, por ka edhe të atillë të cilët ani pse e përkrahin ndërtimin e këtij objekti fetar, thonë se protesta është e drejt e secilit.

Njëri nga qytetarët, Burim Dema, thotë se ky është projekt i duhur, ngase sipas tij myslimanëve të vendit i duhet një objekt i tillë  fetar.

Ai, i cilëson si të palogjikshme paralajmërimet e disa qytetarëve për mbajtjen e protestës si shenjë kundërshtimi për ndërtimin e saj.

“Unë jam pro ndërtimit të xhamisë. Myslimanët e vendit kanë nevojë për objekte fetare, Protestat kundër saj janë të palogjikshme”, ka thënë ai.

Njëjtë mendon edhe qytetari Granit Sahiti.

“Është i palogjikshëm. Unë për vete jam pro projektit. Natyrisht se gjithkush ka të drejtë të protestoj.”, thotë ai.

Edhe qytetari Gëzim Berisha thotë se gjithkush ka të drejtën e protestës

“Unë kam dëshirë që Xhamia e Madhe të ndërtohet, por mund të ketë edhe persona kundër. Gjithkush ka të drejtën e protestës”, ka thënë ai.

Binak Gashi kishte shkruar se Këshilli Organizativ njofton se me datë 22. 07. 2020, (e merkurë), ora 11, organizohet protestë kundër ndërtimit të kësaj xhamie pikërisht në lokacionin ku kanë filluar punimet. Pjesëmarrësit të jenë të pajisur me masat anti-covid.

Ndryshe, Bashkësia Islame e Kosovës kishte marrë vendim që më 8 tetor të këtij viti të nis ndërtimin e xhamisë së madhe, në lokacionin e caktuar nga Komuna e Prishtinës, afër Postës së Re, e cila përfshinë një sipërfaqe rreth 78 ari.

Ndërkohë, pas tetë vjetësh procedura, më 15 korrik të këtij viti filloi ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, në zonën që dikur ishte parkingu i Telekomit të Kosovës./Alban Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme