Qytetarët thonë se çmimet janë të papërballueshme, krahasuar me pagat

20:19 | 28 Shtator 2024
R J

Statistikat e ASK-së çdo periodë po tregojnë për rritje të çmimeve të produkteve të konsumit.Qytetarët vazhdojnë ta ndiejnë shtrenjtimin dhe i konsiderojnë çmimet të papërballueshme, sidomos duke i krahasuar me pagat. Madje, ekonomistët thonë se ngritja e çmimeve po rrezikon mbylljen e shumë bizneseve.

Rritja e çmimeve të konsumit po vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i qytetarëve. Sipas tyre, çmimet e larta të artikujve, krahasuar me pagat, e bëjnë të papërballueshme jetesën.

“Krahasuar me standardin, çmimet janë tepër të rritura, nuk e di ne si popull qysh po mundemi me mbijetua”,thotë një qytetar.

“Çmimet janë rritur gjithkund, në secilin market”,thotë qytetari tjetër .

“Për nja 20% a ma shumë janë rritë më shumë se vitin e kaluar, për standardet tona janë të rritura këto çmime”, thotë qytetari

Njohësi i ekonomisë, Hysen Sogojeva, tha se çmimet e ngritura po rrezikojnë mbylljen e shume bizneseve.

“Produktet bazë janë rritur për afro 40%, tash kur kemi këtë rritje, edhe bizneset duhet me realizua këtë rritje në shitje, kështu ku po mbetet klientela”, tha Sogojeva.

Edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se çmimet e konsumit kanë shënuar rritje prej 1.4 për qind krahasuar me muajin gusht të vitit 2023. Kjo kryesisht sipas ASK-së, është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të pemëve, biletave të fluturimeve, lëndëve djegëse të ngurta, ujit mineral, bukës, drithërave, dhe disa produkteve te tjera ushqimore./RTK

Të ngjashme