Qytetarët, të zhgënjyer me Kuvendin

12:19 | 27 Gusht 2017
Arbresh.info
Dështimi i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës që në gjashtë seancat e thirrura të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni, nga qytetarët shihet si problematikë që ndikon drejtpërsëdrejti në jetën e tyre.

Disa nga ta thonë se nuk është bllokuar vetëm puna e institucioneve, por e gjithë Kosova.

Ruzhdi Morina, ekonomist me profesion, i anketuar për Radion Evropa e Lirë tha se vendi po mbetet peng dhe i bllokuar nga njerëz të njëjtë, udhëheqës të vendit, të cilët tash e shumë vjet vetëm po i nëdrrojnë pozitat.

“Ata janë shumë njerëz të lig. Nuk po e bllokojnë Kuvendin, por po e bllokojnë Kosovën. Njerëzit që luftojnë për pushtet, nuk luftojnë për komb. Ata nuk duhet të jenë në Qeveri, pasi duhet të vijnë njerëz të rinj. Është e pamoralshme, e pandërgjegjshme. Edhe nëse ndodhin zgjedhjet e parakohshme, prapë njerëzit e njëjtë do të vijnë, dhe vendi po mbetet i bllokuar”, thotë Morina.

Edhe Hamdi Arifi, mësues me profesion, mendon se partitë duhet të bëhen bashkë për të dalë nga kriza:

“Te qytetarët bllokimi i institucioneve ndikon shumë. Unë mendoj se duhet të bëhen bashkë dhe të zhbllokohen institucionet. Të mos mendojnë udhëheqësit vetëm për tenderë, e për përfitime personale. Le t’i thonë vetes ndalu, dhe t’i zhbllokojnë institucionet në të mirë të qytetarëve”.

Labinot Krasniqi, 32-vjeçar, thotë se udhëheqësve të vendit më shumë po u intereson karriera e tyre, sesa populli i Kosovës:

“Më katastrofë nuk ka ku shkon. Për karrierën e tyre kishin luftuar. Po më vjen me vjell kur i shoh në ekran televiziv,e lëre më me folë për ta. Me të vërtetë nuk kam çka flas”.

Derisa Delvina Boletini, studente, thotë se bllokimi i institucioneve të vendit po e shtyn liberalizimin e vizave, gjë që ajo e vlerëson se po e bën të ndihet jo si qytetare e Evropës.

“Mendoj që është një bllokim që gjithë jetën po na e bllokon, sidomos për liberalizim të vizave, ka ndikuar shumë . Për shkak të vonesave të shumta me problemet e udhëheqësve, ne si qytetarë nuk po mund të lëvizim si gjithë qytetarët tjerë të Evropës”, thotë Boletini.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë u organizuan më 11 qershor. Përmes votës, qytetarët zgjodhën 120 deputetët e përbërjes së re të Kuvendit. Megjithatë, Kuvendi mbeti i pakonstituuar, pavarësisht se seanca inauguruese ka nisur që nga 3 gushti.

Pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të bëhen hapat tjerë kushtetues e ligjor për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme