Në qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet mungon vaksina “Tetabulin”, e cila është e domosdoshme si terapi në rast të lëndimeve fizike dhe gjakderdhjeve. Mungesë të kësaj vaksine ka edhe në Klinikën Emergjente në QKUK. E, pacientët një terapi të tillë, vetëm për sasinë 250 miligramë, detyrohen të paguajnë 17.50 euro.
Në rast të aksidenteve të trafikut në kryeqytet, pacientëve domosdoshmërisht duhet t’u jepet terapia e tetabulinit, në mënyrë që mundësia e marrjes së ndonjë infeksioni të jetë më e vogël. Por, kjo terapi ka muaj që nuk gjendet në ambulantet e kryeqytetit.
Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë pacientët po detyrohen që ta sigurojnë vetë këtë vaksinë, ndonëse e njëjta gjendet në listën e barnave esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë.
S.P., familjar i një pacienti nga Prishtina, ka thënë për Express se është detyruar që këtë ilaç ta blejë duke paguar 17 euro e gjysmë. Ai thotë se mjekët në QKMF i kanë thënë atij se me këtë vaksinë ata nuk furnizohen prej më shumë se gjashtë muaj.
“Në ambulanten kryesore të qytetit na informuan se nuk e kanë këtë terapi qe 7-8 muaj. Të njëjtën u detyruam që ta blejmë në barnatoren pranë të njëjtës ambulantë”, ka thënë S.P për Express.
Me situatë të njëjtë ballafaqohen edhe disa qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Në qendrën kryesore në “Fehmi Agani”, por edhe në atë në Ulpianë, zyrtarët shëndetësorë thonë se nuk e posedojnë këtë vaksinë.
Edhe Klinika Emergjente në QKUK ka sasi të limituar të kësaj vaksine. Drejtori i Emergjencës Basri Lenjani për Express ka thënë se në stoqet e kësaj klinikë ekziston sasi e vogël e kësaj vaksine.
“Klinika Emergjente mbulon vetëm rastet me natyrë të rëndë, gjegjësisht politraumat me tetabulin që në stokun tonë ekzistojnë në sasi të vogla, ndërsa për rastet e tjera pacientët mund të kërkojnë tretman në qendrat e mjekësisë familjare që ta mbulojnë mbrojtjen antitetanike. Është barrë që e mbulojmë me rastet me natyre të lëndimeve të shumëfishta, ndërsa rastet e natyrës që nuk e rrezikojnë jetën mjeku kujdestar i referon në qendrat e mjekësisë familjare”, thotë Lenjani.
Ai shpjegon se pacientët në rast të lëndimeve, qofshin ato minore apo madhore, duhet që brenda pak orëve pas lëndimit të vaksinohen me tatalumin.
“Që nga momenti i lëndimit, të gjithë të lënduarit qoftë me lëndime minore apo majore, zakonisht nuk guxon të kalojë më tepër se 12 orë për ta marrë mbrojtjen anti-tetanike. Nëse kalon më shumë se 12 orë atëherë të sëmurët e lënduar mund të marrin dyfishimin e dozës. Nëse doza është 250 njësi, atëherë ajo dozë duhet të bëhet 500”, ka shpjeguar ai.
Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë rreth kësaj problematike, por të njëjtit kanë refuzuar që t’u përgjigjen pyetjeve të gazetës. Megjithatë, jozyrtarisht nga ky institucion zyrtarë kanë deklaruar se janë në përmbyllje të procedurave për sigurimin e kësaj vaksine.
Terapi e tetabulinit u jepet pacientëve menjëherë pas aksidentit apo në rast të lëndimeve dhe kontaktit me pluhur në mënyrë që të mbrohen nga infeksionet e mundshme që i marrin nga pluhuri.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit