Qytetarët mobilizohen për gjetjen e Remzije Mustafës, thonë se u pa në disa lagje të kryeqytetit

18:37 | 13 Nëntor 2019
Arbresh.info

Janë bërë pothuajse një javë që kur  59 vjeçarja, Remzije Mustafa është larguar nga shtëpia dhe familjarët nuk kanë asnjë informatë rreth vendndodhjes së saj.

Me iniciativën e ish-ushtarit të UÇK-së, Ridvan Tahiri një grup njerëzish nga e marta janë mobilizuar dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e Mustafës.

Tahiri në një prononcimi dhënë për arbresh.info tha se kërkimet për zonjën Mustafa i kanë filluar që nga dita e martë.

Ai thotë se kërkimet deri tash  janë bërë në disa pjesë të qytetit, kurse sonte do të bëhen në periferi.

“Kërkimet i kemi filluar prej dje në mëngjes, diku deri në ora 12:00 të natës, por i kemi ndërpre për shkak të shiut. Mbrëmë kam pasur njerëz më pak sesa sonte, sonte i kam mbi 60 persona të cilët janë lajmëruar vullnetar. Kërkimet e mbrëmshme i kemi bërë në disa pjesë të qytetit në Dardani, Ulpianë dhe nga Konviktet, ndërsa sot kemi vendos pak në periferi të Prishtinës, pasi që kam më shumë njerëz. Shpresa kemi që është gjallë”, tha Tahiri

Nga disa informacione të cilat Tahiri thotë se i ka, zonja Mustafa është parë në disa lagje të Prishtinës.

Edhe pasi qytetarët e kanë parë dhe kanë komunikuar me të, ata thonë se nuk kanë arritur ta ndalin.

“Sipas informacioneve që i kam të mërkurën ka ardh lajmi i parë që është pa në këtë pjesë të lagjes së “Velanisë”. Të premten është thirr prej “Dardanisë”, një grua ka komunikuar me të, po përderisa ajo është futur në banesë për të lajmëruar policinë, ajo është zhdukë. Të hënën në mbrëmje më ka ardhë një informacion se e kanë pa te lagja “Bill Clinton”, kurse mbrëmë një studente e konviktit numër katër, ka tregu që ka ardhë deri te dera e konviktit, ka biseduar me të dhe më pas ka ikë. I kemi verifikuar kamerat, nuk shihen qartë por vërehet që është një person që i ngjan shumë, por nuk kemi mundur të marrim informacione se në cilin drejtim ka shkuar”, tha Tahiri

Ndërsa njëri nga qytetarët,  i cili po ashtu kishte dalur për të ndihmuar në kërkimin e Remzie Mustafës, Hajra Vitia,  tregon lokacionet deri ku kanë shkuar për kërkimin e saj.

“Kërkimin e saj e kemi filluar nga pjesa e Matiqanit, kemi vazhduar në pjesën e Badovcit, por deri më tash nuk ka diçka që kemi mundur me vërejt që ka kaluar në atë pjesë. Tani kemi dyshime se mundet me qenë diku në afërsi të ndonjë banese, bodrum apo ndonjë tjetër, ato munden me qenë dyshimet kryesore”, tha Vitia.

Ndryshe, Remzije Mustafa është larguar nga shtëpia e saj në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë më 7 nëntor.

Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore të hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh, përfshirë intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit, kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura), analizimi i video incizimeve të zonave të ndryshme, analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin, etj.

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë për gjetjen e saj edhe nga qytetarët.

“Veprimet dhe kërkimet policore, janë duke vazhduar intenzivisht, mirëpo njëkohësisht kërkojmë nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së saj, të informojnë Policinë e Kosovës në linjën emergjente 192, apo në nr 080019999”, thuhet në kërkesën për ndihmë të policisë të lëshuar një ditë më parë në media./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/2517942331774689/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme