Google ADS

Qytetarët e Serbisë nuk presin që Vuçiqi ta nënshkruajë njohjen e Kosovës

13:37 | 13 Maj 2019
Arbresh.info

Qytetarët e Serbisë nuk janë optimistë kur bëhet fjalë për, siç e quajnë medie serbe, zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por ata nuk presin që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ta nënshkruajë njohjen e Kosovës, thotë hulumtimi i fundit që e ka bërë agjencia Faktor plus, transmeton koha.net.

Në pyetjen “a mendoni se presidenti i ose kryeministrja e Serbisë do ta nënshkruajnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, 78 për qind e të pyeturve është përgjigjur negativisht, vetëm 15 për qind mendojnë se kjo do të ndodhë, ndërsa 7 për qind nuk ka qëndrim të vetin rreth saj.

Hulumtimi është bërë disa ditë para se presidenti serb Aleksandar Vuçiq të deklaronte se nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës.

Në pyetjen se cila zgjidhje për Kosovën është më e mira nga pikëpamja e Serbisë dhe qytetarë të saj, 50 për qind e të pyeturve është përgjigjur të jetë “konflikti i ngrirë”, 32 për qind e tyre mendon se ajo do të ishte marrëveshja për korrigjim kufijsh ndërmjet dy vendeve, ndërsa 8 për qind thotë se marrëveshja më e mirë është njohja e pavarësisë së Kosovës.

Kur bëhet fjalë për emocionet për Kosovën, te 61 për qind e të pyeturve dominon pikëllimi, te 46 për qind shpresa e te 31 për qind e tyre zemërimi .

Qytetarët në këtë hulumtim nuk kanë qenë shumë optimistë për afatin kohor të arritjes së marrëveshjes për Kosovën.

Pothuajse gjysma e të pyeturve (47 për qind ) mendon se ajo nuk do të ndodhë brenda 5 ose 10 vjetëve të ardhshëm, 22 për qind pret të zgjidhet gjatë një ose dy vjetëve të ardhshëm, ndërsa 14 për qind e tyre mendon se zgjidhja do të arrihet brenda këtij viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme