Qytetarët e Mitrovicës skeptikë për planin B të Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës

23:50 | 8 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Plani fillestar që kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e kishte bërë të ditur për bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme, duket se nuk po gjen mbështetje.

Bahtiri, ditë më parë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës propozimin për ndryshimin e Ligjit që do ta bashkonte Mitrovicën në një komunë të vetme.

Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri ka thënë se kërkesa e tij për bashkimin e qytetit është mbështetur nga shumica e partive politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës.

Por, ideja e parë e Bahtirit nuk ka marrë mbështetje nga Qeveria e Kosovës.

Kështu, Bahtiri sërish ka dalë me një plan të ri për bashkimin e jugut me veriun e Mitrovicës.

Planin e ri për bashkimin e dy pjesëve në një komunë të vetme, përmes një peticioni, duke mbledhur 10 mijë nënshkrime të qytetarëve të Mitrovicës, e ka konfirmuar për KTV’në vetë Bahtiri.

Por, qytetarët e veriut të Mitrovicës, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës, planin e kryetarit Agim Bahtiri, nuk po e përkrahin.

Ndonëse në jug të Mitrovicës e duan bashkimin e dy pjesëve të Mitrovicës, qytetarët thonë se plani i Bahtirit është në kundërshtim me pakon e Ahtisaarit, për çka nuk do të marrë mbështetje nga askush.

Më 30 nëntor, Asambleja e Komunës së Mitrovicës i dha mbështetje të plotë iniciativës e cila i kërkon Qeverisë ta procedojë në Kuvend ndryshimin e disa neneve të Ligjit për kufijtë administrativë të të dyja komunave të Mitrovicës.

Me vota unanime, Kuvendi Komunal i Mitrovicës e miratoi këtë iniciativë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme