Google ADS

Qytetarët e Kosovës tymosin mbi 400 milionë euro duhan

08:05 | 16 Shtator 2021
S D

Rreth 3000 mijë tonë duhan, ne vlerë mbi 400 milionë euro, është sasia e duhanit që shpenzojnë qytetarët e Kosovës brenda një viti.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se shuma që përfiton buxheti i shtetit në akcizë, tvsh dhe taksë doganore është 20.7 milion euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, për arbresh.info, tha se trendi i importit të duhanit në Kosovë ka shënuar rritje 19% më shumë, ku gjatë këtij viti janë importuar 1,624 tonë duhan.

“Importi i duhanit ka shënuar rritje krahasuar me periudhën paraprake, nëse ne vitin e kaluar kishim 1365 ton të importuar për periudhën janar qershor 2020 gjatë këtij viti e njëjta periudhë kemi import prej 1624 tone pra ka rritje për 19% më shumë”, tha ai.

Sipas tij, taksat në duhan për shkak të akcizës grumbullojnë mjaft të hyra, ku gjatë këtij viti janë grumbulluar 104.5 milion euro taksa, ku total është 20.7 milion euro.

“Taksat në duhan për shkak të akcizës grumbullojnë mjaft të hyra, vitin e kaluar kishim 83 milion euro taksa te paguara (TVSH dhe akcize) për periudhën janar – qershor2020, derisa ketë vit kemi 104.5 milion euro taksa. Total taksat kanë shënuar rritje prej: 20.7 milion Euro ose shprehur në përqindje 24,70%”, tha Stavileci.

Në vitin 2013 në Kosovë ka hyr në fuqi Ligji për kontrollin e duhanit, por që zbatimi i tij, ende vlerësohet se nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), njëherësh monitorues i zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, tha se gjatë dy viteve të para të hyrjes në fuqi të Ligjit për duhanin, ai ishte zbatuar në masë të madhe, por me kohë, sipas tij, zbatimi i tij ka filluar të zbehet.

“Fatkeqësisht kosovarët shpenzojnë një shumë mjaft të madhe të të ardhurave për të blerë produkte të duhanit. Ata vetëm për blerjen e cigareve shpenzojnë një vlerë afër 400 milionë euro apo konsumojnë një sasi prej rreth 3000 mijë ton në vit. Fatkeqësisht, niveli i zbatimit ka shënuar rënie vit pas viti dhe shkelja e ligjit sot është shndërruar në një dukuri të zakonshme”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, neglizhenca për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit, vazhdon t’i bëhet nga ana e qeverisë dhe kryetarëve të komunave.

“Vështirësitë kryesore në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit qëndrojnë në mungesën e vullnetit politik dhe neglizhencës që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet këtij ligji nga ana e qeverisë dhe kryetarëve të komunave, mungesa e inspektimeve nga organet përgjegjëse për zbatim gjegjësisht inspektoratet dhe mos-funksionalizimi i kompetencave shtesë që u jepen organeve zbatuese nga ligji për kundërvajtje”, tha Spahiu për arbresh.info

Ndryshe, Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin. Sipas OBSH-së më shumë se shtatë milionë njerëz në gjithë botën, vdesin çdo vit nga sëmundjet që shkaktohen nga pirja e duhanit./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme