Google ADS

Qytetarët e Kosovës dhe të rajonit s’e kanë asnjë kufizim për të hyrë në Mal të Zi

17:23 | 20 Gusht 2021
S D

Gzim Hajdinaga, kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, ka demantuar lajmet që kanë qarkulluar se Mali i Zi do t’u kërkojë qytetarëve të Kosovës certifikatën e vaksinimit apo ndonjë test PCR për të hyrë në territorin e tyre.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, Hajdinaga ka konfirmuar se qytetarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë mund të hyjnë në territorin malazez pa asnjë kushtëzim.

“Qytetarët e rajonit mund të hyjnë në Mal të Zi pa pasë nevojë për të pasur test apo dëshmi të vaksinimit. Ata mund të hyjnë siç kanë hyrë deri tash. Masat e reja që ka marrë Mali i Zi vlejnë vetëm për shtetasit e BE-së dhe jo për ata të rajonit. Lajmet që kanë qarkulluar për të kundërtën janë të pavërteta”.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar e Kosovës, në faqen e saj në Facebook, ka njoftuar për vendimet e reja të Malit të Zi dhe tha se “për të hyrë në Malin e Zi secili qytetar duhet të ketë me vete një nga katër provat, dëshmi të vaksinimit, testin negativ apo atë antigjen”.

Por, në këtë njoftim nuk u sqarua se kjo masë nuk vlen për qytetarët e rajonit. Më pas postimi u fshi.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, ka njoftuar më herët për kufizimit e caktuara ndaj shtetasve të BE-së, të cilat hyjnë në fuqi më 24 gusht.

“Nëse një person nuk ka asnjë nga këto katër dëshmi (vaksinimin me një ose të dyja dozat, një test negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se e ka kaluar COVID-19 ose një test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë), ai dërgohet në një izolim katërmbëdhjetë ditor që mund të përfundojë pas ditës së gjashtë të hyrjes në Mal të Zi përmes një testi PCR negativ”.

Mali i Zi ka disa kufizime aktualisht dhe ato përfundojnë më 10 shtator.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme