Google ADS

Qytetarët derdhin para nëpër fonde për të cilat nuk jepet asnjë informacion

08:57 | 13 Mars 2022
A Z

Fonde të ndryshme u krijuan për të marrë para nga qytetarët, por asnjë informacion nuk jepet se sa prej tyre janë aktiv dhe sa para janë mbledhur për secilin.

Sipas analistëve duhet më shumë transparencë në lidhje me menaxhimin e këtyre fondeve, sikurse edhe efikasitet.

“Është mirë që Qeveria të jetë transparente dhe të tregojnë sa para janë mbledh për atë fond (diasporës) dhe sa janë mbledh në këtë fondin tjetër për siguri dhe pastaj të tregojnë veprimet dhe ku do të shkojnë këto para. Këto fonde s’kanë bazë në Kushtetutë e as në ligj, por meqë është një parimi kryesor në drejtësi, nëse diçka nuk është  e ndaluar mund të jetë e lejuar”, thotë për portalin arbresh.info profesori universitar Mazllum Baraliu.

Edhe analistja, Aferdita Maliqi, vlerëson se Qeveria e Kosovës nuk është transparente në lidhje me fondet ekzistuese.

“Qeveria Kurti shpeshherë nuk ka platformë për zgjidhje të problemeve dhe i drejtohet publikut. Mirëpo Qeveria duhet të ketë parasysh se qytetari nuk është më i organizuar në këtë aspekt të ndihmojë fondet, ashtu siç ka bërë para viteve 1999, kur vendi ka pas nevojë për ndihmën e secilit. Tash kemi shtet”, shprehet Maliqi.

Kujtojmë se më dy mars, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës njoftoi se me autorizim të kryeministrit, Thesari i Kosovës ka hapur një llogari bankare zyrtare për pranimin e mjeteve të dedikuara për Fondin e Sigurisë.

E një fond të ngjashëm vetëm se të destinuar për pandemi e kishte hapur edhe në vitin 2020. Në prill të atij viti, Albin Kurti sa ishte kryeministër në detyrë, kërkoi nga diaspora që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Por, ndonëse kanë kaluar dy vite, asnjë fjalë nuk ka kthyer Ministria e Financave lidhur më atë se sa para janë mbledhur nga diaspora dhe cili ka qenë destinimi i tyre.

Në pyetjet e drejtuara nga portali arbresh.info, Ministria, nuk ka bërë të ditur as numrin e fondeve të hapura nga Qeveria e Kosovës e as shumën e mbledhur deri tash të këtyre fondeve./V.Selimi/arbresh.info/

 

 

Të ngjashme