Google ADS

Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë

21:05 | 23 Nëntor 2024
R J

Punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë janë duke vazhduar. Megjithatë intensiteti i punimeve nga ajo që shihet nuk duket se është i lartë. Madje, rrethrrotullimi i madh i paraparë të ndërtohet në fshatin Bardhosh, është larg përfundimit.

Për këtë, banorët që jetojnë afër rrugës thonë se në këtë gjendje ajo po paraqet rrezik. E aq më shumë për nxënësit e këtij fshati, kur shkolla është afër.

Jo fort larg Bardhoshit një tjetër problem po e përcjell kompaninë, e shumë më shumë drejtuesit e automjeteve që i binë këndej.

Shembja e gurëve të mëdhenj në këtë segment rrugor po u paraqet problem atyre.

Madje, ka raste kur disa prej qytetarëve kanë kaluar në momentin e shembjes së dheut në këtë pjesë.

“Nafaka që janë ndal kerret dhe i kanë vërejtë, se ethet më kan hi kur e pash t’u rrëqit guri prej nalti”, tha Jakup Sfarça.

E në fshati Lupç, paraditen e së shtunës makineria ende nuk ishte e ndezur.

Një pjesë e magjistrales që kalon përmes këtij fshat iende nuk i është dhënë asnjë dorë asfalt.

Disa prej atyre që banojnë aty, fajtor i bëjnë vetë banorët për këtë gjë.

“Banorët vet kanë faj, lypin çmim marramendës për shpronësime. Për veti e kemi o burrë”, tha i zhgënjyer Shemsi Kameri, banor i fshatit Majac.

E ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu pranon se në disa segmente ka intensitet të ulët të punimeve, por që sipas tij disa prej tyre lidhen me shtyllat elektrike.

“Dy urat në Vranidoll, ura tjetër në Bardhosh kanë ngecje sepse nuk po mund të zhvillohen punimet për shkak të shtyllave që janë nga KEDS-i. Ne kemi pas takim së fundmi me KEDS-in dhe po pres që këto ditë do t’i eliminojnë ato probleme dhe do të vazhdohet me punime”, tha ministri Aliu.

Ndonëse , ishte thënë se përfundimi i zgjerimit të magjistrales Prishtinë – Podujevë do të ndodhë brenda 425 ditësh, një gjë e tillë nga ajo që shihet në terren nuk është as afër. E deri atëherë, qytetarët do të vazhdojnë të udhëtojnë në gjendje të vështirë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme