Shtetet e Quint-it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një njoftimi për media, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Tutje, Quint-i thotë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.
“Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.
Shtetet e Quint-it u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thonë shtetet e Quint-it.
Në fund, “pesëshja e madhe” thotë se e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Burimi arsyeton veprimet e tij që i vendosin vajzat në sikle...
Rrahmani: Jemi duke përpiluar planin e qeverisjes për zgjedh...
Veliaj thirrje studentëve: Rezervoni online dhomën e konvikt...
Mbi 3.000 të vrarë në Liban gjatë 1 viti lufte mes Izraelit ...
Bislimi: Shkalla e papunësisë ka rënë nga 23.8% në 10.8%
E kapën me forcë Sarën për ta hedhur në pishinë – Del klipi ...