QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores që ndalon dinarin serb: Për këtë të diskutohet në dialog

12:22 | 28 Janar 2024
E.H

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e që sipas kësaj rregullore valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është euro.

Lidhur me këtë ambasadorët e vendeve të Quint-it kanë theksuar se rregullorja do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës (BKK) për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparencën e flukseve të parasë në Kosovë, megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, thuhet tutje në deklarat.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, Quint kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhet në reagim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme