Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka thënë se e diela e zgjedhjeve ka qenë shumë dinamike me një rezultat të pritshëm.
Ai thotë se ky rezultat ishte nga një revoltë e akumuluar e qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin të interesuar për ndryshim.
Qorrolli në Interaktiv të KTV-së ka thënë se skandalet e akumuluara nga qeveritë të cilat tregonin kauzë vetëm personale e jo për komunitetin, prodhoi pasojë që opozita të fitojë zgjedhjet.
“Populli u tregua shumë syçelë dhe ky është revolucion i shpresës për Kurtin por edhe për të tjerët. Të gjithë tjerët mund të quhen humbës sepse në maratonë vetëm një fitues ka. VV ka kërkuar votën në deklarimin e çkapjes së shtetit dhe ky revolucion i shpresës mund të thuhet se duhet ta ketë një formulë të qëndrueshme dhe kjo është çkapja e shtetit. Kemi institucione publike qe janë të kapura nga një ‘milici politike’, kemi universitete pa strategji të mirëfilltë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se katër ditë nga dita e zgjedhjeve, LDK ishte prijëse e sondazheve. Sipas tij, Osmani u varfërua duke ndërtuar kështu fushatë kundër PAN-it e Kadri Veselit.
“Osmani nuk arriti të tregohet e mençur politikisht sepse nuk arriti t’i tregojë elektoratit zgjidhjet për problemet e shumta. Vetëvendosja u tregua e mençur, ajo derisa sulmonte kundërshtarët tregonte edhe programin politik”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se edhe diaspora ka luajtur rol të rëndësishëm, duke thënë se mund të jetë përcaktuese e fatit politik.
Sipas Qorrollit ato vota mund t’i rrisin mandatet e partive. Ai thotë se në të premten kur ishte edhe dita e fundit e fushatës, u pa që Vetëvendosje do të dilte e para.
Bastionet si Gjilani dhe qytetet tjera që udhëhiqeshin nga LDK-ja, Vetëvendosje arriti t’i merrte me njerëz jo të njohur, thotë ndër të tjera Qorrolli.
Duke folur për koalicionin me LDK, ai ka thënë se “meqenëse VV është e para, besoj që mund të jetë e mundshme të ndryshoj situatën politike të Kosovës. Kurti duket se ka treguar një vullnet ta ftojë LDK-në ndonëse negociatat pritet t’i zhvillojnë Mustafa e Haziri. Do të ulën në tavolinë, do të flasin për ndarjen e tortës, por besoj që më e rëndësishme se kjo duhet të flasin për tema të tjera, si dialogu temë e cila është patate e nxehtë”, ka thënë ai.
Qorrolli tutje ka thënë se Kurti do ta ketë të panegociueshme pozitën e kryeministrit në një koalicion me LDK-në. Sipas tij, çështje e negociatave mund të jetë pozita e kryeparlamentarit, por edhe ajo e presidentit, që i skadon mandati më 2021.
Sipas tij, VV-ja nuk do të lejojë negocimin për ndarje të bordeve apo institucioneve të pavarura.
Duke komentuar humbësit e zgjedhjeve, ai ka thënë se për PDK-në kjo ishte “pushim i merituar”.
“Nuk ka pasur motiv PDK-ja e as elektorati i saj, e as njerëzit që i ka shpërblyer rregullisht në këto vjet pushteti sepse ata janë shteruar në qeverisje dhe oferta e tyre ndonëse ishte e vonshme për korrupsionin dhe nepotizmin, shihej si e pasinqertë për qytetarin duke ditur se janë hisedarë të instalimit të korrupsionit. Skandalet më të mëdha në qeveritë e pasluftës ndodhën në kohë të tyre. Ishte e pasinqertë e qytetari nuk e bleu. Pavarësisht përpjekjeve për figura të reja, apo largimin e atyre të përfshirë në aferën “Pronto” dhe prurjeve, s’arriti të bindë qytetarët”, ka thënë ai duke shtuar se duhet vlerësuar gjesti i Veselit që menjëherë pranoi humbjen.
Për rënien e AAK-së dhe koalicionit me PSD-në, ai ka thënë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u bë “kurban i taksës”.
Sipas tij, 12-14 deputetë është humbje për AAK-në.
“Humbës është edhe PSD-ja që në mënyrë të pashpjegueshme iu bashkëngjit AAK-së. U bënë bashkë, dihej sekret publik që Haradinaj e Ahmeti kanë relacione të afërta. 12-14 deputetë, janë humbje për AAK-në, sepse po të mbaheshin zgjedhjet një javë pas dorëheqjes së Haradinajt, ai do të merrte 20 për qind e do të dilte mirë”, ka deklaruar më tej Qorrolli.
Ai ka shtuar se rënia e votave për koalicionin AAK-PSD është goditje e madhe ndaj kryetarit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së. Nëse Ahmeti s’arrin të fitojë votat për deputet, sipas Qorrollit, ai duhet të reflektojë.
Për rrezikun që koalicioni Nisma-AKR-PD të mos e kalojë pragun, Qorrolli ka thënë se partitë që tradicionalisht ka udhëhequr partia e Fatmir Limajt “ishin të njohura për qeverisjet kapëse, klienteliste, kanë futur njerëz në punë pasivisht e kanë kontrolluar resurset panatyrshëm”.
Qorrolli ka kritikuar kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli për punën si ministër i Jashtëm.
“Është tallur kryesisht me dikasteret ndër më të rëndësishmet duke futur militantë partiakë për t’u kryer favore njerëzve që i ka konsideruar të fortë politikisht. Diplomacia u shndërrua në kartë punësimi”, ka deklaruar më tej ai.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...