Google ADS

QKUK: Aparaturën që zbulon leukeminë e mbulon ‘pluhuri’ tash e 6 vite!

09:30 | 12 Prill 2018
Arbresh.info

Në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Prishtinë, tash e 6 vite nuk është në funksion Aparati “Flow Cytometer”, i dhuruar si donacion nga shoqata “ Ndihmë fëmijëve me kancer”, aparat ky i cili ka funksion diagnostikimin e llojeve të sëmundjes së leukemisë.

Mos funksionimi i këtij aparati në kohën kur kemi numër të theksuar të sëmundjes së leukemisë diagnostikimi kryhet në qendrat shëndetësore jashtë Kosovës, ku sipas zyrtarëve të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) , është mungesa e kuadrit të specializuar për përdorimin e kësaj aparature, por edhe mungesa e materialit shpenzues, shkruan Kosova Post.

“ Aparatura për diagnostimkimin e sëmundjeve të leukemisë nuk është funksionale për shkak se nuk kemi profesionista për përdorimin e kësaj aparature. Në këtë drejtim tashmë kemi marrë masa konkrete dhe po punohet në trajnimin e stafit i cili do të punojë me këtë aparaturë e cila është e vendosur në Repartin e e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë. Kështu për momentin, dy specialistë mjekësor tashmë gjendën në Gracë të Austrisë për specializimin e përdorimit të aparaturës për diagnostikimin e sëmundjeve të leukemisë”, është deklaruar përmes postës elektronike për Kosova Post, zëdhënësi i SHSKUK-së Shpend Fazliu.

Sipas tij, për të qenë komplet në funksion aparati “Flow Cytometer”, duhet një staf i tërë, duke filluar nga mjekët e specializuar ashtu edhe stafi përcjellës.

“Për të punar më këtë aparaturë duhet të bëhet trajnimi i stafit i cili punon me të duke përfshirë mjekët dhe laborantët. Për momentin dy specialistë janë në Grac të Austrisë , do të qëndrojnë atje për trajnim 3 mujor, me mundësi të vazhdimit të këtij projekti deri në dy vite”, ka thënë Fazliu për Kosova Post.

Ndryshe, problem në vete përveç mungesës së stafit profesionalist për përdorimin e aparatit me të cilin diagnostifikohen llojet e leukemisë, është edhe mungesa e materialit shpenzues, apo reagensave.

Sipas zëdhënësit Fazliu, SHSKUK-ja nuk ka buxhet për blerjen e reagensave të aparatit diagnostifikues.

“Pra, si fazë e parë për të vu në funksion aparatin e diagnostikimit të leukemisë, ka qenë trajnimi i stafit adekuat, duke filluar me mjekët specialistë, pastaj edhe stafi i mesëm. Ndërsa edhe sa i përket sigurimit të reagensave do të punojmë në këtë drejtim edhe pse kostoja e blerjes së tyre është e pa përballueshme për buxhetin aktual të SHSKUK-së, për mallra dhe shërbime. Megjithatë besojmë se me rishikimin e buxhetit do të shihen mundësit buxhetore për sigurimin e reagensave që janë të domosdoshëm për aparatin i cili përdoret për diagnostikimin e llojeve të leukimisë”, është shprehur Fazliu.

Image result for shpend fazliu

Ndërkaq, lidhur me dërgimin e mostrave për diagnostikim të leukemisë jashtë vendit, Fazliu ka bërë të ditur se diagnostikimi i leukemisë jashtë Kosovës bëhet pa pagesë.

“Diagnostikimi i sëmundjeve të leukemisë për pacientët bëhet jashtë Kosovës. Deri më tani këto diagnostikime janë dërguar në Itali, kurse kohët e fundit analizat dërgohen në Austri, sepse Klinika e Pediatrisë është në projekte të vazhdueshme mbështetetje profesionale me mjekët nga Austria, Italia dhe Holanda, prandaj edhe analizat diagnostikuese janë të gjitha pa pagesë”, sqaron Fazliu për Kosova Post.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme