QKSS reagon për emërimet në AKI: Të paligjshme dhe me pasoja për kornizën e sigurisë

21:35 | 25 Nëntor 2019
L G

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka reaguar ndaj emërimit të Drejtorit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Në një reagim për media, QKSS konstaton se emërimi i Drejtorit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së është i paligjshëm dhe jo legjitim me pasoja të mëdha për kornizën institucionale të sigurisë.

“Vendimet e tilla të rëndësishme në asnjë mënyrë nuk mund të merren nga Kryeministrat në dorëheqje të cilët kanë një rol kujdestar. Ky vendim e dëmton edhe më shumë reputacionin edhe ashtu të brishtë të AKI-së duke shfrytëzuar kështu bazën ligjore e cila bazohet nominalisht në një sistem të mirë të balancit dhe kontrollit, në këtë rast në mes të Presidentit dhe Kryeministrit”, thuhet në reagim.

Në këtë reagim Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thekson se veprimi qartazi synon të sfidojë sistemin qeverisës në ardhje duke planifikuar kësisoji ngërç institucional me dashje në dëm të interesave nacionale të Kosovës.

“Kur këtij veprimi i shtohet profili i të emëruarve me pjesëmarrje aktive në politikë kohëve të fundit (sidomos pozicioni i Inspektorit të Përgjithshëm) lehtësisht mund të konkludohet se vendimi ka implikime afatgjate në sektorin e sigurisë. Për më shumë, konstatojmë se ky veprim do të ndikoj negativisht në partneritetin me shtetet miqësore të Kosovës tashmë kur vendi qoftë në planin e brendshëm e sidomos në atë të jashtëm është para sfidave të mëdha politike e të sigurisë”, thuhet në reagim.

Sipas QKSS-së, partnerët e Kosovës nuk mund të llogarisin në bashkëpunim me një institucion aq të diskredituar.

“Kërkojmë nga institucionet relevante që të anulojnë këtë vendim dhe në këtë formë të shmangin nivelin aq të lartë të degradimit të institucioneve vitale të shtetit”, thekson tutje kjo Qendër.

Përndryshe, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin, Hashim Thaçi, sot ka emëruar, Kreshnik Gashin, në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ky emërim vije pasi që ditë më parë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e drejtorit të AKI-së./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme