QKRMT vlerëson se Policia përdori dhunë ndaj aktivistëve të SKV-së

14:35 | 14 Prill 2018
Arbresh.info

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka vizituar dhe intervistuar studentët e arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në Parkun e Qytetit në Prishtinë para dy ditësh.

Kjo qendër vlerëson se  aktivistët e organizatës studentore “Studim Kritikë Veprim” (SKV), kanë përjetuar dhunë fizike, ofendime, e kërcënime nga Policia e Kosovës.

QKRMT ka ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të hetojë këto pretendime për përdorimin e panevojshëm dhe të tepruar të forcës nga zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Komunikata e plotë e QKRMT:

“QKRMT VIZITOI TË NDALUARIT NË STACIONET POLICORE NË PRISHTINË DHE LIPJAN

QKRMT sot vizitoi dhe intervistoj të arrestuarit nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në Parkun e Qytetit në Prishtinë me 12.04.2018.

Nga intervistimi i të arrestuarve , shikimi i dosjeve policore dhe evidencave mjekësore dhe observimit të QKRMT-së është vërejtur se gjatë fazës së arrestimit të aktivistëve të organizatës studentore “Studim Kritikë Veprim”, transportimit të tyre me makina të policisë sikurse edhe gjatë qëndrimit në Stacionin Policor në Prishtinë, Policia e Kosovës ka përdorë dhunë fizike dhe ofendime si fyerje, sharje e kërcënime ndaj tyre.

Të gjithë të arrestuarit janë ankuar se policia ka ushtruar dhunë fizike dhe ofendime ndaj tyre. Më tutje, evidencat mjekësore të tyre konstatojnë lëndime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit si: ndrydhje, gervishje, skuqje etj. QKRMT ka marr pohime se përveç njërit nga të arrestuarit i vendosur në Stacionin Policor në Lipjan, të tjerëve nuk u është ofruar trajtim i duhur mjekësor. Përkundër dhimbjeve të theksuara pesë nga të arrestuarit nuk marrin ndonjë medikament për trajtimin e dhimbjeve.

QKRMT duke vepruar në kuadër të mandatit të saj i sheh këto veprime të Policisë së Kosovës si krejtësisht  të panevojshme dhe absolutisht të papranueshme. Si të tilla këto sjellje përbejnë keqtrajtim të personave të arrestuar dhe të privuar nga liria, trajtim jonjerëzor, degradues dhe poshtërues. Përtej situatës që ka quar në arrestimin dhe ndalimin e tyre, veprimet e tilla të Policisë së Kosovës ndaj të arrestuarve është e panevojshme dhe si e tillë e ndëshkueshme në pajtim me legjislacionin vendor dhe instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë.

QKRMT fton Inspektoratin Policor të Kosovës që të hetojë këto pretendime për përdorimin e panevojshëm dhe të tepruar të forcës nga zyrtarët e Policisë së Kosovës ndaj personave të arrestuar në këtë rast”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme