Qindra fëmijë të lindur para kohe trajtohen çdo vit në QKUK

09:23 | 7 Janar 2025
R J

Çdo zhurmë monitori në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë bart peshën e shpresës, por edhe të frikës.

Qindra fëmijë të lindur para kohe trajtohen çdo vit në këtë njësi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Shpesh me peshë më pak se një kilogram, ata luftojnë për secilën frymë, ndërsa aparaturat përreth tyre, bashkë me stafin e profesionistëve, punojnë pa pushim.

“Është punë shumë e ndjeshme, por e bëj me kënaqësinë më të madhe dhe pa përtesë”, thotë infermierja Antigona Ejupi, e cila në mjekimin intensiv neonatal punon për më shumë se 25 vjet.

Në ditën kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me të, në pjesën e parë të dhjetorit, ajo kishte nën kujdesin e saj 6-7 fëmijë të lindur para kohe.

Në mesin e tyre ishte edhe vajza e Kosovare Pacollit nga komuna e Lipjanit.

E vogla kishte ardhur në jetë në javën e 27-të të shtatzënisë, ndërsa normalisht do të duhej në javën e 39-të apo 40.

“Kemi qenë të dyja në rrezik. Kam hyrë me urgjencë në operacion. Falë mjekëve, sot jemi më mirë”, thotë Kosovarja.

Vetë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë, për më shumë se një javë, ajo mundohej që ta vizitonte të bijën në klinikën tjetër, disa metra larg, së paku një herë në ditë.

Qante vazhdimisht dhe kërkonte të dinte se si është gjendja e së voglës së saj.

“Mjekët po më thonë se edhe pak kohë dhe do të ma sjellin vajzën atje ku jam unë në Gjinekologji. Jam shumë e kënaqur me kujdesin e mjekëve dhe të infermierëve këtu”, thotë nëna e pesë fëmijëve.

Shpresë asaj dhe shumë nënave si ajo u jepte rasti i Hyrmete Llullecit nga Ferizaj, foshnja e së cilës kishte qëndruar një muaj në kujdesin intensiv të Neonatologjisë.

“Nuk e kam besuar se do të më shpëtojë vajza, sepse lindi me një peshë të vogël, por, falë Zotit dhe kujdesit të mjekëve, sot është mirë. Një muaj ka qëndruar në mjekimin intensiv pa mua, e tash jemi bashkë këtu në repartin e Neonatologjisë”, thotë Hyrmetja, nënë e dy fëmijëve.

Nga janari i vitit 2024 deri në fillim të dhjetorit, në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK janë trajtuar 1.095 foshnja – në mesin e tyre 785 të lindura para kohe.

Prej këtyre të fundit, 48 kanë lindur në spitalet rajonale të Kosovës dhe në ato private, por që më pas kanë pasur nevojë të trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Luan Morina.

“Mbi 50% e punës që bëhet në kliniken tonë, ka të bëjë me lindje të parakohshme. Fatkeqësisht, duhet të them se kemi një rritje të numrit të rasteve ‘premature’, sidomos të këtyre me peshë të vogël”, thotë Morina, por nuk ofron ndonjë shifër specifike se sa apo në cilën periudhë është vërejtur rritja e numrit të rasteve.

Ai vetëm thotë se foshnjat me peshën më të vogël të trajtuara në mjekimin intensiv neonatal, janë ato nga 500 gramë deri në 999 gramë.

Gjatë vitit 2024, sipas tij, 61 foshnja kanë lindur mes javës së 22-të dhe 28-të të shtatzënisë dhe prej tyre 57 nuk kanë arritur të mbijetojnë.

“Është prematuritet i thellë, që, pavarësisht kushteve, kujdesit e gjërave të tjera, është e vështirë të mbijetojnë, sepse bëhet fjalë për një papjekuri totale të foshnjave”, thotë Morina.

Për infermieren e kujdesit intensiv në Neonatologji, Elvane Ramadani, është një moment tejet i rëndë edhe për stafin, kur bebja nuk mbijeton.

“Nuk e di se si ta përshkruaj. Por, mundohemi t’u japim shumë forcë prindërve, sidomos nënës, e cila, në njëfarë forme, është më e lidhur me frytin e saj”, thotë Ramadani.

Vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë përmendet si problem serioz edhe në vlerësime të ndryshme ndërkombëtare.

Raporti i vitit 2023 për progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka nxjerrë në pah se 16 në 1.000 fëmijë vdesin para se t’i mbushin 5 vjet, për shkak të sëmundjeve jongjitëse.

Kjo shifër, sipas raportit, është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së.

Në raportin e progresit të vitit 2024, ndërkaq, thuhet se “jetëgjatësia në lindje në Kosovë mbetet më e ulëta në rajon dhe shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve më e larta në rajon”.

Por, për dallim nga fundi i viteve ’90, kur shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë ka arritur në mbi 30 promil – që do të thotë në 1 mijë foshnja të lindura, mbi 30 kanë vdekur – kjo shifër sot është së paku për gjysmë më e vogël, nën 14 promil.

Stafi shpreh bindjen se në rënien e shkallës së vdekshmërisë, ndër vite, kanë ndikuar: trajtimi me medikamente gjithnjë e më të avancuara, përvoja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i punonjësve shëndetësorë.

Për infermieren Antigona Ejupi, një gjë është e sigurt: kujdesi për të porsalindurit është prioritet mbi prioritetet.

“Edhe kur jam në shtëpi, i thërras kolegët dhe i pyes për rastet – a kanë pasur ndonjë problem, a kanë shtuar peshë… Ne lidhemi shumë me to”, thotë Antigona.

Përse foshnjat lindin para kohe?

Organizata Botërore e Shëndetësisë i quan foshnja të parakohshme ato që lindin përpara se nënat ta kenë përfunduar javën e 37-të të shtatzënisë.

Lindja e parakohshme vjen për një varg arsyesh – shumë prej tyre ndodhin spontanisht, por disa janë edhe pasojë e arsyeve të ndryshme mjekësore, si infeksionet, diabeti, tensioni i lartë i gjakut etj.

Megjithatë, sipas OBSH-së, në këto raste ndodh që nuk identifikohet as edhe një shkak.

Në një raport të publikuar në vitin 2023, OBSH-ja ka vlerësuar se rreth 13.4 milionë foshnja kanë lindur para kohe në vitin 2020.

Shkalla e lindjes së parakohshme nëpër vende të ndryshme ka lëvizur mes 4 dhe 16 për qind.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme