Google ADS

Qeveritë jetëshkurtra dhe zgjedhjet e reja zbehin pritjet për rikuperim ekonomik më 2021

14:42 | 10 Janar 2021
L G

Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreson që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, të formohen shpejt institucionet e reja, dhe të mos zvarritet implementimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në një intervistë për Ekonomia Online, menaxherja e AKB-së, Ajdini, thotë se gjendja e prodhuesve, dhe sidomos e punëtorëve të sektorit privat, është shumë e rëndë.

Ajo thekson se në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u miratua në dhjetor 2020, pas shumë zvarritjeve për motive politike, janë paraparë mbi 200 milionë për bizneset.

Mirëpo, ka frikë se tashmë koncentrimi do të jetë në zgjedhje, dhe implementimi i Ligjit për Rimëkëmbje do të lihet në rend të dytë.

“Ka qenë një vit i rëndë ekonomik. Jemi pak të dëshpëruar me politikën e Kosovës, sepse po ndikon në jostabilitetin ekonomik. Në vend që të merremi me rimëkëmbjen ekonomike, ne do t’i kemi tri qeveri brenda një viti, dhe kjo na kushton neve si Kosovë.

Këtu po pëson ekonomia, bizneset, por edhe vetë qytetarët. Tash me fillimin e vitit 2021, shpresonim që të kishim fokus menjëherë te Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Mirëpo kemi zgjedhjet dhe kjo do ndikojë në zvarritjen e implementimit të këtij ligji”.Nëse nuk do ishin zgjedhjet, ndoshta do të kishim një pritshmëri pak më të madhe”, shprehet Ajdini.

“Edhe në diplomacinë ekonomike nuk kemi pasur promovimin që iu duhet bizneseve dhe prodhuesve tanë… Tash koncentrimi do të jetë tek zgjedhjet.

Mirëpo duhet të jemi më të fuqishëm si aleancë e biznesit që mos të anashkalohet zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, sepse ne si Kosovë jemi gjithmonë të vonuar, sidomos tani kur duhet të kemi ‘riformatizim’ të bizneseve dhe të ekonomisë pas pandemisë. Vendet e tjera këtë e kanë filluar në shtator të vitit të kaluar, kurse ne ende nuk jemi gati për implementim dhe nuk i kemi kriteret”.

Të ngjashme