Google ADS

Qeverinë mund ta bëj Vetëvendosje me koalicionin LDK-AKR

12:33 | 12 Qershor 2017
L G

Koalicioni PAN, i përbërë nga tri partitë, PDK, AAK dhe Nisma, i cili doli i pari në zgjedhjet e mbrëmshme me mbi 34 për qind të votave, do ta ketë të vështirë të krijoi qeverinë.

Mundësinë e krijimit të qeverisë mund ta ketë edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli e dyta për nga votat, por që për ta bërë një gjë të tillë i duhet të bëj një koalicion, qoftë me koalicionin PAN, ose LDK-AKR.

Njohësit e çështjeve politike në vend e shohin të mundshëm një koalicion mes Vetëvendosjes dhe koalicionit LDK-AKR, që sipas tyre do të kishte mundësi për krijimin e një qeverie të ardhshme, nëse koalicioni PAN do të dështonte ta bënte këtë.

Analisti politik Donik Sallova, thotë se do të jetë e vështirë që koalicioni PDK-AAK dhe Nisma ta krijojnë qeverinë, sepse sipas të gjitha gjasave këtij koalicioni nuk do t’i bashkohet ndonjë parti tjetër shqiptare dhe fati i qeverise do ishte totalisht në dorën e minoriteteve, përkatësisht në dorë të Listës Srpska.

“Kushtet e kësaj liste besoj do jenë të papranueshme për të bërë një qeveri kaq të brishtë në ta. Ndërkaq, opozita në krye me VV-në duhet të ndërtoi një koalicion të madh me LDK-AKR që bëhen mbi 51% e elektoratit shqiptar dhe të formoj mazhorancen e re për te ndërtuar qeverinë sipas asaj qe lejon kushtetuta”, u shpreh Sallova për “Arbresh.info”.

Sipas Sallovës, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma kanë marr më pak se 100 mijë vota në këto zgjedhje. Ai thotë se ka ardhur koha që PDK të dal në opozitë.

ngmn

“Vota aq e madhe për ndryshim kah VV-ja është mesazh i cili nuk mund të përfillet më as nga PDK-ja, e cila ka ardhur koha të hap krahun dhe të shkoje në opozitë. Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka marre mbi 100 mije vota më pak nga çka është pritur. Dhe kjo për ta është sikur “fitorja e Pirros”- fitore me humbje të mëdha!”, thotë Sallova.

Edhe analisti politik, Mazllum Baraliu, e sheh si të vështirë formimin e qeverisë nga koalicioni PDK-AAK dhe Nisma. Sipas tij, ende është herët të flitet për formim të qeverisë, sepse ka mbetur edhe 10 përqindëshi të numërohet, pastaj votat me kusht, të diasporës dhe ato të kategorive të veçanta, dhe të shihet rezultati përfundimtar i votave.

“Është relativisht vështirë me konfiguracione të krijuara që të formohet një qeveri e shumicës së qëndrueshme dhe shumicës kredibile dhe efektive, e cila do të mund të funksionoj siç është paralajmëruar një qeveri e vendimeve të mëdha dhe e vendimeve të guximshme, kjo për arsye pikërisht të mungesës së numrave, fuqisë”,thotë ai.

Baraliu, e sheh të mundshëm një koalicion mes Vetëvendosjes dhe koalicionit LDK-AKR për krijimin e qeverisë.

Sipas tij, mund të ndodhin kombinime të ndryshme të koalicionit PDK-AAK dhe Nisma me të tjerët dhe të Vetëvendosjes me koalicionin e dytë LDK-AKR, si dhe kombinime të tjera, përfshirë lëvizjen e deputetëve të caktuar nga njëri koalicion në tjetrin.

“ Një koalicion mes VV-së dhe koalicionit LDK-AKR është i mundshëm dhe i kuptueshëm nëse LDK thjesht ka deklaruar se nuk dëshiron të bëj në asnjë mënyrë koalicion dhe qeveri me PDK-në , si dhe është e mllefosur me PDK-në që sipas tyre ia ka bërë të padrejtë, si dhe Vetëvendosje e cila ka thënë që ka vij të kuqe me PDK, atëherë ka mundësi që Vetëvendosje me LDK dhe AKR të bëjnë një koalicion”, pohon Baraliu.

mazllum_baraliu

Mirëpo ai, nuk përjashton rrezikun që shtetit të shkoj në një ngërç politik siç ishte në zgjedhjet e 2014-ës.

“Mund të ndodh. Mendoj që do të ketë vështirësi dhe jo aq efikasitet siç u paralajmërua mbrëmë me pompozitet në njërin nga tubimet e këtyre koalicioneve, se do të ketë qeveri të menjëhershme. Unë mendoj se është shumë e nxituar një ekzaltim i tillë me një eufori pas zgjedhore që nuk ish dashur të bëhet, por që të analizohen gjërat mirë detalisht, të shihet kush çka ka fituar nga këto zgjedhje dhe pastaj t’i qasemi punës menjëherë për të bërë atë që duhet bërë në favor të secilit koalicion, në këtë rast edhe Vetëvendosjes, e cila doli me suksese të jashtëzakonshme”, shprehet Baraliu.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri tash ka numëruar 2 mijë e 316 vota nga gjithsej 2 mijë e 490, që në përqindje i bie 93.01 për qind.

Nga këto numërime koalicioni PDK-AAK-NISMA vazhdon të prin  me 34.59 %,  Lëvizja Vetëvendosje me 26.62 % si dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.81%./ Arbresh.info/ Gita Lushi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme