Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në takim u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes.
Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre.
Më tej, në lidhje me rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anёtarёsimi i Kosovёs nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.
Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale.
Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM.
Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut.
Në përfundim, ai e njoftoi emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe përmendi raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%./Arbresh.info/
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe