Qeveria tregon nëse do të ketë telashe me paga në sektorin publik dhe privat

08:35 | 19 Mars 2020
Arbresh.info

Koronavirusi ka ‘paralizuar’ sektorin privat dhe publik në Kosovë, sikurse edhe në rajon e Evropë.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që ndodhet vendi si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, Qeveria e Kosovës ka kërkuar reduktimin e stafit për sektorin publik, por edhe atij privat.

Pavarësisht kësaj, në bazë të këtij vendimi, Ministria e Financave është e gatshme që të paguajë me kohë pagat për të gjithë zyrtarët që marrin paga nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi për media nga kjo ministri, Muharrem Shahini, ka thënë për arbresh.info se pagat do të merren në kohë dhe afatet e përcaktuara me ligj.

“Buxheti është miratuar nga Kuvendi dhe nuk ka kurrfarë rreziku për asnjërin sektor i cili merr paga nga buxheti. Pagat do të merren në kohë dhe afatet e përcaktuara me Ligj”, thuhet në përgjigjen e tij.

Më shqetësueses është duke u parë sektori privat për shkak se dëmet nga kjo gjendje parashihen të jenë më të mëdha për kompanitë dhe ndërmarrjet private.

Është shqetësueses se shumë punëtorëve të sektorit privat nuk do t’ju dalin pagat e plotë në fund të muajit mars.

Për këtë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë se Qeveria e Kosovës do ta ndihmojë sektorin privat nëse vazhdon kjo gjendje.

“Nuk d.m.th që ky vendim nuk do të rishikohet nëse zgjat kjo ne kemi llogarit që dy tri javët e ardhshme të stabilizohet gjendja dhe të kthehemi në situatën normale. Mirëpo nëse vazhdon sigurisht do ulemi dhe do bëjmë përllogaritjet se si mund të ndihmojmë edhe sektorin privat edhe operatoreve vital të sektorit privat që me mujt edhe me i bo pagesat por edhe me mujt me e mbajt veprimtaritë gjallë” ka thënë ai për arbresh.info.

Tutje, Abazi bën me dije se vendimi i qeverisë nuk urdhëron që të mbyllet sektori privat, por të reduktohet stafi dhe ata që kanë mundësi të bëjnë punën prej shtëpisë ta praktikojnë.

“Vendimi i Qeverisë është shumë i qartë në këtë moment.  Kemi kërkuar që të iu mundësohet aty ku është  e mundur të bëhet punë nga shtëpia dhe në raste tjera të sigurohet që distanca fizike të jetë ndërmjet punëtorëve dhe të ketë reduktime të punëtorëve, d.mt.h nuk kemi rekomandu mbylljen e bizneseve sidomos atyre prodhuese”, tha ai.

Arbresh.info ka informacione se ende pa përfunduar kjo gjendje e rëndë, disa biznese private iu kanë thënë punëtoreve se këtë muaj nuk do të marrin rrogat e plota.

I pyetur për këto informata, zëvendësministri Abazi tha se do t’i shqyrtojnë si raste të ndara.

“Duhet të shikojmë rast me rast, sepse secili operator privat i ka specifikat e veta”, tha ai./arbresh.info/Mira Avdimetaj/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme