Google ADS

Qeveria shfuqizon vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për caktimin e qendrave për hapësirë të karantinës

19:18 | 27 Maj 2020
L G

Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime.

Një nga këto vendime, është edhe heqja e karantinave.

Sipas njoftimit të qeverisë, nga 30 maji Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme.

“Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse. Në vijim, të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, me kërkesë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen korresponduese, (mbledhje elektronike) të 35-të me radhë në të cilën ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, dhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për shfuqizim të vendimeve për caktim të hapësirave të karantinës.

Vendimi i parë i Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, ka qenë miratimi i vendimit për themelimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike në këtë përbërje:

  1. Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kryesuese;
  2. Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, anëtar;
  3. Lumir Abdixhiku, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, anëtar;
  4. Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
  5. Emilija Redžepi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtare;
  6. Kryetari i Komunës në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar;
  7. Ministri përgjegjës për sektorin në të cilin realizohet investimi strategjik, anëtar; dhe
  8. Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, anëtar.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që nga data 30 maj 2020 të shfuqizohen vendimet:

– Vendimi i Qeverisë nr.01/13 i datës 18/03/2020, me të cilin Qendra e Studentëve në Prishtinë është caktuar si hapësirë karantine;

–  Vendimi i GNMI MPBAP Nr.140/2020 i datës 25/03/2020, me të cilin është caktuar qendra për të huaj në Vranidoll si hapësirë karantine.

Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse. Në vijim, të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

– Të gjitha Vendimet tjera që kanë rregulluar procedurat e karantinës shfuqizohen;

Në arsyetim të vendimit thuhet se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake sipas konstatimeve të IKShPK-së dhe zyrës së OBSh-së në Kosovë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme