Qeveria e Serbisë ka miratuar një konkluzion që urdhëron aktivitete dhe masa nga ministritë, në kuptim të mbrojtjes ligjore dhe socio-ekonomike të serbëve në Kosovë, por edhe të interesave kombëtare të Serbisë.
Ky vendim i Qeverisë serbe u mor një ditë pasi masat u prezantuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, deklaroi se vendimi i ekzekutivit ka të bëjë me pesë zona të veprimit që janë prezantuar nga Vuçiqi.
Këto masa, siç është thënë përfshijnë, kthimin e gjendjes para vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme sociale, përforcimin e mëtejmë i institucioneve serbe në Kosovë dhe që të mos lejohet mbyllja e tyre.
Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, Vuçeviq deklaroi se kërkesa do t’i dërgohet Kuvendit serb për të shpallur të paligjshme të gjitha veprimet që janë në kundërshtim me marrëveshjet ndërmjet palëve negociuese, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
“Prandaj, gjithçka që dukej e njëanshme, gjithçka që zhbëri marrëveshjet dhe përpjekjet nuk ekzistojnë më për ne, janë të pavlefshme, jodetyruese dhe nuk mund të prodhojnë efekt juridik”, tha Vuçeviq.
Gjatë adresimit të tij më 13 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Ndaj paraqitjes së kërkesave nga Serbia ka reaguar kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo më 14 shtator i kërkoi faktorit ndërkombëtar, që të dënojë, ato që i ka cilësuar si “qasje, sjellje dhe gjuhë agresive e armiqësore” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, karshi Kosovës.
Gërvalla tha se me këto kërkesa, Vuçiq tregoi se “nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare”.
Kryediplomatja e Kosovës e fajësoi udhëheqësin serb se po synon pengimin e normalizimit të raporteve mes dy shteteve, por edhe sipas saj mbajtjen gjallë të tensioneve në rajon, dhe shtoi se këto synime janë “sinkroni të plotë me interesat e Rusisë”.
Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë vijnë pasi autoritetet në Kosovë javëve të fundit kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, të cilat i konsiderojnë jokushtetuese dhe të paligjshme.
Beogradi i ka cilësuar këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.
Eskalon në fyerje debati mes Xuxit dhe Gjestit
OKB pezullon dërgesat e ndihmave përmes kalimit kryesor të G...
Ancelotti tregon pse u largua Jude pas pjesës së parë
KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës për dërgimin e FSK-së në ver...
Salah: Është gjithmonë një ndjenjë e veçantë të shënosh në A...
Vlorë: 41-vjeçari theret disa herë me thikë