Buxheti i Kosovës ka para të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por për bartjen e këtyre mjeteve te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje thonë se duhet të sqarohen rrugët ligjore.
Gjykatat Kushtetuese e Kosovës, e cila më 29 korrik ka marrë një kërkesë nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj për interpretimin dhe definimin e kompetencave dhe funksioneve të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit, ende nuk ka dhënë asnjë interpretim në lidhje me këtë kërkesë.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në largim të Financave në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ende nuk kanë një kërkesë zyrtare nga KQZ-ja për alokimin e parave që kërkohen për organizmin e zgjedhjeve.
Por, që sipas tij, buxheti i Kosovës ka mjete të mjaftueshme për këtë proces zgjedhor.
“Edhe pse nuk ka qenë një vit kushtetues zgjedhore, ne me kohë kemi lënë një rezervë brenda Ministrisë së Financave e cila edhe në këtë rast mund të përdoret dhe është një shumë më se e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet që i kërkon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zyrtarë tonë të buxhetit janë takuar me zyrtarët e KQZ-së dhe kanë bërë harmonizimin e buxhetit ku shuma sillet deri në 5.9 milionë euro e totalit që planifikohet. Kjo është shuma që kemi sot (jo finale), pasi që ende nuk kemi marrë një kërkesë nga KQZ”, thotë Rafuna.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës do të mbahen më 6 tetor, 2019.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur të martën mbledhjen ku kanë kërkuar që të alokohen mjetet për procesin zgjedhor.
Enis Halimi, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së tha se nuk mund të fillohet asnjë procedurë që ka të bëjë me furnizime, me qëllim të organizimit të procesit zgjedhor, përderisa nuk është aprovuar buxheti.
“Asnjë procedurë pa u alokuar buxheti dhe pa u bërë i qasshëm nuk mund të fillojë nga ne. Teknikisht është e pamundur të bëhet dhe lus që të ndërmerren hapa që ky buxhet të alokohet dhe të jetë i qasshëm sa më shpejt”, tha ai.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, theksoi se do të dërgojnë kërkesën buxhetore te Qeveria e Kosovës dhe pret që ky buxhet i kërkuar, të alokohet në xhirollogarinë e KQZ-së.
“Ne jemi institucion i cili që organizon zgjedhje dhe këtë e bëjmë vetëm kur ka para. Nëse nuk kemi para, ne i zhvillojmë procedurat deri aty ku na mundësohet ligjërisht dhe pas kësaj ne nuk mund të vazhdojmë”, tha Daka.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në largim të Financave në Qeverinë e Kosovës, thotë se për marrjen e një vendimi për alokimin e mjeteve për procesin zgjedhor, presin që të kenë një opinion nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne jemi shumë pozitiv që do të kemi një opinion, pasi që deri më sot ende nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare nga KQZ-ja dhe ne shpresojmë që do të kemi një opinion së paku deri në ditën kur do ta marrim kërkesën prej KQZ-së. Por, prapë po theksojmë se ne duhet të ulemi dhe të shohim se cilat janë rrugët ligjore që ne të bartim shumën e mjeteve që i nevojitet KQZ-së”, thotë Rafuna.
Më 29 korrik, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për definimin e kompetencave.
Nga ajo ditë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje.
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...