Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tani për tani, praktikisht është i bllokuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të një pjese të partive politike në pushtet, por edhe të atyre në opozitë.
Në këtë situatë, kërkohet një zgjidhje kreative, thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të cilët konfirmojnë se janë duke punuar për një zgjidhje të tillë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konfirmon se tashmë është duke u shqyrtuar një ide për zgjidhjen e nyjës politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ide të cilën e ka dhënë ai, si lider i Nismës për Kosovën, e cila është partnere në koalicionin qeverisës.
Sipas tij, Marrëveshja e arritur nga të dy komisionet, të Kosovë dhe Malit të Zi, për demarkacionin e kufirit, lë hapësirë për të korrigjuar gabimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin në variantin e parë të marrëveshjes, e cila tashmë është ratifikuar nga Mali i Zi, por pa u cenuar marrëveshja.
“Në marrëveshje qëndrojnë dy pika, të cilat japin mundësi që të trajtohen gabimet ose lëshimet e mundshme dhe korrigjimet e nevojshme aty ku është gabuar. Kjo është rruga për të cilën ne jemi duke punuar dhe ne besojmë fortë që ne si Qeveri duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e komunikimit me Qeverinë e Malit të Zi, për të ardhur deri te një zgjidhje e përbashkët, që nuk prek interesat e asnjërit vend, apo i ruan interesat e të dyja vendeve tona, dhe kështu ta përmbyllim këtë temë dhe të vazhdojmë më tutje”, tha zëvendëskryeministri Limaj.
Ai thotë se beson që në rast se të dy qeveritë, e Kosovës dhe Malit të Zi, tregojnë gatishmëri për korrigjimin e gabimeve eventuale, gjithmonë duke u bazuar në marrëveshjen e arritur, atëherë ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kosova nuk do të duhej të paraqiste problem.
Megjithatë, zëvendëskryeministri Limaj, shpjegon se e gjithë kjo ide ende është duke u diskutuar me partnerët brenda Qeverisë së Kosovës.
“Jemi duke diskutuar dhe shpresoj që do të kemi një zgjidhje. Tani për tani po bëjmë trajtimin e këtyre propozimeve, analizave dhe ideve dhe shpresoj që në ditët në vazhdim do të kemi diçka më konkrete. Por, tani për tani, është thjeshtë një ide që unë jam duke e shtyrë. Është ide e imja dhe jo e Qeverisë së Kosovës”, thotë Limaj.
Në anën tjetër, Ilir Deda, deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, e cila është pjesë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vonuar shumë lidhur me zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Megjithatë, siç thotë ai, idesë së zëvendëskryeministrit Limaj, duhet qasur pozitivisht.
“Duhet që t’i japim mundësi iniciativës së një pjese të Qeverisë që ta shohim se a ka mundësi që të jepet një deklaratë e përbashkët e të dy kryeministrave, të Kosovës dhe Malit të Zi, e cila realisht vetëm sa do ta përforconte pikën 7 të Marrëveshjes për demarkacionin, e cila thotë se gjatë shënjimit të kufirit mes dy shteteve, në terren, do të merren parasysh dokumentet shtesë, të cilat mund të dalin gjatë shënjimit të këtij kufiri”, thotë deputeti Deda.
Ndryshe, sipas deputetit Deda, Marrëveshja aktuale për demarkacionin me Malin e Zi, të cilës i është bashkangjitur edhe raporti i Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, tash për tash, nuk mund të shkojë në Kuvendin e Kosovës.
Kjo, siç thotë ai, për arsyen se raporti i Komisionit të ri pretendon që ata që e kanë hartuar Marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi, që nënkupton përbërjen e vjetër të Komisionit, kanë kryer vepër penale. Sipas tij, fillimisht, një gjë të tillë duhet ta sqarojë Prokuroria, e cila duhet ta sqarojë se ka pasur ose jo vepër penale në këtë rast.
Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është arritur në vitin 2015. Deputetët e opozitës nga legjislatura e kaluar, e kanë kundërshtuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke pretenduar se me të Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës, vazhdon të jetë një nga dy kushtet e mbetura, të cilat po e mbajnë peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. /REL
Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen: Prezenca jua...
Atletico bindëse pas pjesës së parë, Milani në baraspeshë
Sinani i bashkohet thirrjes së Kamberit për vendosjen e flam...
Shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesit te sheshi...
Haradinaj në Gjakovë: Me Kosovën fituese drejt NATO-s dhe zh...
Konjufca priti në takim komisionerin kroat për mbrojtjen e t...