Nisma e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, e cila është përcjellë me një peticion të nënshkruar nga 17 mijë qytetarë, me synimin e bashkimit të qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme, nuk do ta marrë mbështetjen institucionale, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Qyteti i Mitrovicës, aktualisht administrohet nga dy komuna, ajo jugore, e banuar me shumicë shqiptare dhe komuna veriore, e banuar me shumicë serbe.
Peticioni me nënshkrimet e qytetarëve për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, më 16 janar i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, ndërkaq që Bahtiri kishte kërkuar që peticioni të trajtohet dhe të ketë një vendim nga institucionet për çështjen e Mitrovicës.
Por, Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar si folklorike nismën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, e cila është mbështetur me peticionin e 17 mijë qytetarëve. Sipas tij, në frymën e ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës – e cila është ndërtuar mbi parimet e Dokumentit të Ahtisarit, në bazë të së cilit është shpallur pavarësia e Kosovës – ekziston vetëm një qytet i Mitrovicës, i cili administrohet nga dy komuna, jugore dhe veriore.
“Ky është një interes nacional i shtetit dhe i organeve qendrore dhe nuk i përket asnjërit prej kryetarëve të komunave të Mitrovicës. Është një nismë folklorike, e mbështetur thjeshtë në folklor. Unë nuk e di nëse ka ndonjë mbështetje apo vetëm retorikë, por nuk e besoj që mund të ketë mbështetje institucionale, përveç mbështetje përmes retorikave. Pakoja e Ahtisarit nuk varet nga kryetarët e komunave, por nga institucionet qendrore të shtetit. Do të thotë, një çështje tillë ka të bëjë me Kushtetutën e vendit dhe jo me vullnetin politik ose dëshirat e mira të dikujt”, theksoi Matoshi.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, më 22 janar, ka shprehur mbështetjen për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.
“Bashkimi i qytetit të Mitrovicës është proces i pandalshëm. Në takim me kryetarin Bahtiri konstatuam se qytetarët e Mitrovicës e kanë thënë fjalën e tyre. Tani e kanë radhën të veprojnë institucionet: Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca”, ka shkruar presidenti Thaçi. Megjithatë, ai nuk ka specifikuar nëse e mbështet shuarjen e komunave të tanishme që administrojnë qytetin.
Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, e ka kundërshtuar që në fillim nismën e Bahtirit. Për më shumë, ditë më parë, përmes një komunikate për media, ai e ka vlerësuar deklaratën e presidentit Thaçi si një sulm mbi paqen “i formësuar si paralajmërim i aneksimit të Mitrovicës Veriore”. Në komunikatë është thënë se serbët nuk do të lejojnë bashkimin e pjesës veriore me atë jugore të Mitrovicës, sepse siç është thënë “ky është një uverturë për spastrim etnik të serbëve” nga Mitrovica.
Ish- zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkimi i qytetit të Mitrovicës nën administrimin e vetëm një komune, tash për tash është ide me mundësi krejtësisht joreale për t’u realizuar.
“Që kjo të ndodhë në këto rrethana të sotme, unë e shoh plotësisht joreale. Megjithatë, ajo që shoh, është një dëshirë e kryetarit të tanishëm (të komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri) që të krijojë disa folklorizma apo një simbolikë, me të cilën i mbulon dështimet e tij në Komunën e Mitrovicës Jugore”, theksoi Gecaj.
Sipas Gecajt, ligji parasheh që për bashkimin e dy komunave, në këtë rast të atyre të qytetit të Mitrovicës, kërkohet miratimi i të dy komunave. Më pas, propozimi i tillë duhet të procedohet në Kuvendin e Kosovës, i cili kërkon miratimin përmes votës së dyfishtë, që nënkupton dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë. Por, siç theksoi ai, aktualisht Lista Serbe, e cila përfaqëson me 10 deputetë komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, do ta pamundësonte shkrirjen e të dy komunave në një të vetme për administrimin e Mitrovicës.
Dispozitat ligjore aktuale parashohin mundësinë e krijimit të një bordi i përbashkët i të dy komunave të qytetit të Mitrovicës, i cili më pas do të mund t’i menaxhonte çështjet e përbashkëta.
Gresa e imiton Rovenën
Panik në kullën Eifel, zjarr në ashensor
Gucati: U njoftova nga Specialja se e kam përfunduar dënimin...
Anija ruse Ursa Major fundoset në Detin Mesdhe
Gjesti e këshillon Xhenetën: Mos merr ndonjë vendim që do të...
Hamza prezanton programin: Është koha për një qeveri që dëgj...