Qeveria ndau 50 euro shtesa për sektorin publik, Azemi: Këtë diskriminim e kemi pasur vetëm në vitet e 90-ta

13:27 | 25 Janar 2023
L G

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës në mbledhjen  e  sotme që të ndaj nga 50 euro shtesa për të gjithë punonjësit e sektorit shtetëror për muajin shkurt.

Azemi në një prononcim për “Arbresh.info”, është shprehur i mllefosur se punëtorët e sektorit privat nuk janë përfshirë asnjëherë në këto pako.

“Është dashtë në rend të parë të financohen punëtorët e sektorit privat, sepse edhe sot e kësaj ditë janë tu marrë një pagë prej 170 euro. Një punëtorë i sektori publik i merr 600 -700 euro dhe stimulohet ai dhe jo punëtori i sektorit privat me një pagë aq të ulët kur dihet se mbushësit më të mëdhenj të arkës së buxhetit të Kosovës”, shprehet Azemi.

Ai, thotë se punëtorët e sektorit privat po diskriminohen, ashtu siç diskriminoheshin në vitet 90-ta shqiptarët nga serbët.

Të stimulohet një kategori e cila është në gjendje shumë më të mirë s sa punëtorët e sektorit privat të Kosovës, sipas Azemit, kjo ka ndodhur vetëm në periudhën e vitit 1990/99.

“Mund të themi me keqardhje që këtë diskriminim e kemi pasur vetëm në vitet e 90-ta kur u ndanin serbët në një ane dhe shqiptarët në anën tjetër. Serbët ishin jashtëzakonisht të privilegjuar në çdo aspekt me paga dhe me punë, ndërsa shqiptarët ishin ata të cilët në njëfarë forme të diskriminuar. Më vjen keq që e them këtë por kjo është ajo që e shohim”, thotë i mllefosur Azemi.

“Kjo është e pakuptueshme dhe e pa besueshme. Unë kam menduar që Qeveria e bëri gabimin e parë dhe kam menduar që do ta përmirësoj kur i stimuloj tash edhe në periudhën e fundit me nga 50 euro dhe nuk i siguroi punëtorët e sektorit privat. Të dënohen punëtorët me 170 dhe të stimulohen ata që janë me paga shumë të larta, kjo nuk ka koment”, pohon kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 121-të  të mbajtur sot (e merkur), ka marrë vendim që të vazhdojë ndarjen e mjeteve për punëtorët e sektorit publik në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se do t’i ndajnë nga 50 euro për ta, derisa ka theksuar se Ligji për Paga hyn në fuqi nga muaji shkurt.

Ndaras kësaj, mjete veçantë janë ndarë për punëtorët shëndetësor, me vlerë 60 euro, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike./arbresh.info/

LEXO EDHE

50 euro shtesë edhe në janar për të gjithë punëtorët e sektorit publik – Arbresh.info

Të ngjashme