Qeveria miraton Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale 2024-2034

13:27 | 13 Qershor 2024
E.G

Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, e para në Republikën e Kosovës që nga lufta e fundit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, kjo Strategji ka për qëllim adresimin e krimeve të luftës duke krijuar kështu hapësirë për të vendosur fakte për të kaluarën, duke siguruar kompensim për padrejtësitë dhe traumat e lidhura me luftën, mbrojtjen e kujtesës individuale dhe kolektive, shkruan Arbresh.info.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në fjalën e saj tha se që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, ballafaqimit më të kaluarën dhe drejtësisë tranzicionale në përgjithësi i ka munguar një vizion strategjik, përfshirja e mirëfilltë e kategorive të viktimave, si dhe qëndrueshmëria institucionale.

Me hartimin e kësaj Strategjie, Haxhiu tha se në Kosovë po krijojmë për herët të parë një kornizë për trajtimin e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.

Tutje, Haxhiu tha se kjo Strategji ka për qëllim të korrigjojë padrejtësitë dhe të shërojë traumat e shkaktuara nga e kaluara e dhimbshme që janë pasojë e luftës së fundit në Kosovë nga Serbia.

Në fund, ministrja tha se Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale është një nga dokumentet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të iniciuara dhe hartuara nga Ministria e Drejtësisë dhe bazohet në katër shtyllat bazë të drejtësisë tranzicionale./Arbresh.info/

Të ngjashme