Qeveria me plan aksional për adresimin e sfidave të Raportit të Progresit

09:28 | 23 Prill 2018
Arbresh.info

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua shqyrtimi i planit aksional për adresimin e sfidave të Raportit të Progresit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se publikimi i raportit ka adresuar të gjeturat në fushat përkatëse, shkruan Arbresh.info.

“Ajo që kam kërkuar nga kolegët është t’i gjejnë sfidat dhe problemet e pastaj t’i kthejmë në punë. Nuk i takon vetëm një ministrie por të gjitha ministrive përkatëse. Për këtë kemi bërë planin aksional për sfidat që janë gjetur”, ka thënë ai.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka thënë se në javën tjetër do të mbahet mbledhja e Këshillit Ministror ku sipas saj në atë mbledhje do të adresohen sfidat që i përkasin ministrive.

“Kjo në mënyrë që pas qershorit, pas pushimeve verore të jetë më lehtë për Raportin e Progresit”, ka thënë ajo.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka propozuar që të takohen një ditë dhe të bisedojnë për sfidat.

“Duhet të bashkohemi ose në Prishtinë ose diku tjetër që të diskutojmë për sfidat. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxha ka thënë se ky plan është i duhur dhe duhet bashkëpunim mes të gjithë akterëve politikë.

“Kroacia është shembull i mirë se si ka ndodhur bashkëpunimi mes Qeverisë dhe partive opozitare. Duhet ta gjejmë një modalitet se si të përfshihemi si Kosovë. Këtë duhet ta bëjë këshilli ndërministror, të na sjell modele të ndryshme që pas dy vitesh ta kem një qasje se si ta adresojmë këtë sfidë. Në këshillin për stabilizim asocimi duhet ta ngjisim këtë çështje. Ta kemi një rikonstruim të ekipit që merret me agjendë evropiane”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri Haradinaj tha pasi u miratua raporti se do tu shkruaj edhe redaktorëve të mediave që të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

“E kam marrë lirinë që tua shkruaj një letër redaktorëve të mediave që të bashkëpunojmë që Kosova të ecë përpara. Që të mos kemi negativitet për vendin dhe të jemi në një frymë”, është shprehur Haradinaj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme