“Qeveria Koti dhe lidhja aspak demokratike në pushtet janë pandemia e Kosovës”

22:02 | 29 Gusht 2020
Arbresh Info

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përsëri ka kritikuar ashpër qeverisjen e Avdullah Hotit, duke thënë se partitë e koalicionit bashkëqeverisës po cënojnë edhe shëndetin publik.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka krahasuar menaxhimin e pandemisë në kohën kur ai qeveriste me vendin dhe tani kur me shtetin udhëheqë Hoti i LDK-së.

Ai konsideron se LDK dhe kryeministri Hoti nuk janë akademia e Kosovës, por pandemia e saj.

Postimi i plotë:

La gestion macabre

Raportimet vizuele nga dy medie ndërkombëtare e ilustrojnë qartë kontrastin në menaxhimin e pandemisë COVID-19 te ne. I pari, infografi (shih në fund të tekstit), është i 28 gushtit nga bloomberg.org, ku Kosova prin në botë për numrin e vdekjeve për 1 milion banorë. E dyta, videoja (https://youtu.be/aeT02XSCqoo), është e 13 majit nga MSNBC, ku te minuti 2:45 Kosova përmendet në mesin e shteteve më të suksesshme.

Në datën 13 maj, pikërisht kur qeveria jonë e mirë i pat mbushur 100 ditë, gazetari amerikan, për të shpalosur gjendjen e rëndë të krijuar nga virusi Corona në ShBA, merrte si shembull të shkëlqyer disa shtete mes të cilave edhe Kosovën. Shembujt që citonte dëftonin më së miri se menaxhimi i mirë i rrezikut të virusit Corona nuk varej nga fuqia apo madhështia e shtetit, por nga përgjegjësia e qeveritarëve të tij.

Që atëherë kanë kaluar më shumë se 100 ditë, e së shpejti do bëhen 100 ditët e qeverisë koti. Nga mediat ndërkombëtare po marrim statistika të përmbysura. Kosova sot nuk është as shembull i mirë e as shembulli i keq, por thjesht vendi që mban rekordin e numrit të vdekjeve prej virusit.

Qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se formimi i paligjshëm i një qeverie që ka mbledhur bashkë tërë përgjegjësit për hajninë 20 vjeçare të subjektivitetit politik dhe ekonomik të shtetit tonë, nuk ndalet vetëm në keqadministrimin e pasurive të vendit, as në dëmtimin e institucioneve, por edhe në dëmtimin fizik dhe psikologjik të popullsisë së vet. Qeveritarët e ardhur nga të gjitha partitë humbëse kanë mendjen të ndajnë postet dhe tenderat. Partitë tradicionale të korrupsionit, kur nuk e kanë më mundësinë të mashtrojnë votuesin, nuk ndalen më me vrasjen e ndërmarrjeve publike e institucioneve shtetërore, por cënojnë pa kthim edhe shëndetin publik.

Afër 100 ditët e ‘institucionalizmit’ dhe akademikëve të propaganduar nuk ushqejnë trurin, por rrënojnë trupin. Qeveria koti dhe lidhja aspak demokratike në pushtet nuk janë akademia e Kosovës, por pandemia e saj.

Kuadro të këtilla institucionaliste me shumë përvojë në menaxhim? Jo, falemnderit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme