Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj konsideron se Asociacioni nuk është prioritet dhe se ka tema të tjera më urgjente, kështu që nuk ka ndonjë arsye për t’u ngutur.
Javën e kaluar Haradinaj tha se nuk është marrë me ketë temë dhe nuk e ka pasur në rend dite. Aludimet se Haradinaj po i hakmerret në këtë forme Listës Serbe pasi këta të fundit nuk votuan pro Demarkacionit i ka hedhur poshtë shefi i negociatave me Serbinë Avni Arifi.
Avni Arifi konsideron se kësaj teme nuk i ka ardhur rendi dhe nuk ka të bëjë me ndonjë hakmarrje. Thotë se me Listën Serbe vazhdojnë të kenë raporte korrekte.
“Jo, jo, kjo nuk ka të bëjë fare me Listën Serbe. Asociacioni është një temë e posaçme, nuk ka lidhshmëri me temat e tjera. Arsyeja pse deri më tash nuk është diskutuar është se kanë qenë shumë prioritete dhe tema të rëndësishme që nuk u ka ardhur rendi për t’u debatuar. Nuk është hakmarrje. Përkundrazi, ne kemi raporte korrekte me Listën Serbe dhe në asnjë mënyrë nuk është në pyetje ndonjë ndëshkim për Listën Serbe”, tha Arifi të dielën për Express.
Ai nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur pritet të diskutohet kjo temë, mirëpo tha se për Asociacionin duhet të fillojnë bisedimet kur në shoqëri të arrihet një konsensus më i madh.
“Asociacioni duhet të fillojë bisedimet me një konsensus më të madh në shoqëri dhe atëherë ne mund të flasim për procedimin e Asociacionit. Gjithnjë po flas për Asociacionin siç është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sa herë flas për Asociacionin e Komunave, kam legjitimitet te flas për Asociacionin konform Republikës së Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese”, tha më tej Arifi.
Shefi i negociatave me Serbinë konsideron se temë më e rëndësishme se Asociacioni është mungesa e energjisë elektrike.
“E kemi temën e energjisë elektrike që është më urgjente sesa Asociacioni, e cila po e ndikon tërë Rajonin dhe Evropën, besoj që më mirë është me u marrë kryeministri me çështjen e energjisë”, thotë ai.
Kriza e fundit e energjisë elektrike në Kosovë vjen si rezultat i mosimplementimit të marrëveshjes për energji nga Qeveria e Serbisë, thotë Arifi.
“Kosova nuk ka mundësi ta implementojë marrëveshjen që i gjeneron asaj të hyra edhe stabilitetin energjetik në territorin e Kosovës”, përfundoi ai.
Fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk dihet se kur do të rikthehet në agjendë. Pas mbledhjes së fundit të Qeverisë, Ramush Haradinaj ka folur edhe për Asociacionin, çështje për të cilën ka thënë se nuk është marrë akoma me të.
“Me Asociacionin nuk jam marrë, nuk e kam pasur në rend dite. S’jam marrë me të, dhe nuk po di qysh me ta shpjegu. As në tavolinë nuk e kam pas…”, është shprehur Haradinaj.
Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese kishte thënë se në 22 vende është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga ajo kohë kjo marrëveshje ka mbetur e bllokuar.
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe