Qeveria jep detaje për takimin e Kurtit me Krasniqin

23:13 | 13 Maj 2024
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi sonte një darkë pune me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasnqi dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Kjo darkë u zhvillua me ftesë të kryeministrit Kurti, përcjell Arbresh.info.

Lexo edhe:

Foto nga takimi i kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi

Zyra e Kryeministrit njofton se temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, përkatësisht votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, e për çka nevojiten 2/3-tat e deputetëve në Kuvend.

“Kryeministri theksoi se me 224 ligje të votuara në dy lexime deri më tani, legjislatura e dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2021 ka shënuar rekord të ri të ligjeve të votuara që prej pavarësisë së vendit. Ky numër mund të rritet edhe më tej, por që për çështje të caktuara, sikurse marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligje të caktuara nevojitet edhe mbështetja dhe kontributi i partive tjerat parlamentare”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:

Përfundon takimi me Kurtin, Krasniqi insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj.

“Kryeministri Kurti falënderoi udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, që ju përgjigjen pozitivisht ftesës për një darkë pune sonte. Ai është i gatshëm dhe i interesuar që të takojë edhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare për të zhvilluar diskutime të ngjashme me ato të sontshme”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Lexo edhe:

Kurti pas takimit me Krasniqin: Zgjedhjet e ardhshme, çështje muajsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme