Qeveria jep detaje nga takimi i Kurtit me homologun e tij maqedonas

18:03 | 5 Gusht 2024
E.G

Në Shkup, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në vizitën e parë të punës dhe takimin e parë bilateral mes tyre.

Sipas njoftimit, vizita e punës fillimisht nisi me një takim tête-à-tête për të vazhduar pastaj me takimin bilateral ndërmjet dy delegacioneve. Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej dhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, shkruan Arbresh,info.

Së bashku diskutuan rreth marrëdhënieve, bashkëpunimit dhe çështjet bilaterale, nga ato tregtare dhe ekonomike, sundimit të ligjit, e projektet infrastrukturore, me theks te rruga Prizren-Tetovë, deri te incidenti me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu në aeroportin e Shkupit.

Për këtë të fundit, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës shprehu shqetësimin e institucioneve të vendit dhe nevojën për hetim të plotë për të zbardhur të vërtetën në plotni dhe hollësi dhe për t’u siguruar që situata të tilla nuk përsëriten më.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë raporte të mira dypalëshe, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe orientim të qartë transatlantik dhe në rrugëtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Dy delegacionet diskutuan rreth mundësive për të thelluar raportet e deritanishme si në rrafshin ndërshtetëror, përmes një mbledhjeje të radhës të dy qeverive, ashtu edhe në atë të bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.”, thuhet në njoftim.

Si vend anëtar i NATO-s, Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e Maqedonisë së Veriut, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes kontingjentit ushtarak në kuadër të KFOR-it.

Tutje, Kurti falënderoi homologun e tij për pritjen dhe përkushtimin për të avancuar raportet bilaterale dhe për të kontribuar në bashkëpunim edhe më të madh rajonal.

Delegacioni i Maqedonisë së Veriut, krahas kryeministrit Mickoski, përbëhej nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Ambientit, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë, Arben Fetai, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timco Mucunski, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov dhe zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiku Shaini./Arbresh.info/

Të ngjashme