Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditëve të fundit ka filluar një tur dëgjimi nëpër komuna të cilin ai po e quan “tur liberalizimi”. Tur të ngjashëm kishte nisur edhe para se ta tërhiqte partinë e tij nga koalicioni me LDK-në, për të rrëzuar kësisoj qeverinë që e drejtonte Isa Mustafa.
Qeveria Mustafa u rrëzua më 10 maj të vitit 2017, ku pro rrëzimit për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisjes së tij, kishte votuar edhe Kadri Veseli me bashkëpartiakë.
Qeveria e tanishme, e drejtuar nga Ramush Haradinaj i AAK-së, nuk po e sheh këtë si sinjal për rrëzimin e këtij ekzekutivi.
Avni Arifi nga Qeveria e Kosovës, për Koha.net tha se ture të tilla duhet madje të ketë edhe më shumë.
“Ne nuk e shohim ashtu. Liderët e partive në qeveri e shohin se duhet të ketë më shumë edhe në mes të strukturave partiake edhe në mes të elektoratit”, tha ai.
Nga ana tjetër, analisti e sociologu Artan Muhaxhiri, turin e ri të Kadri Veselit e sheh si plan të tij për të rritur prezencën mediale, pasi kësisoj, sipas Muhaxhirit, Veseli e bën edhe një distancim diskret ndaj hiperaktivitetit të Haradinajt.
“Qasja më e sigurt për të është që në këto takime të mbizotërojë një diskurs politik më i përgjithshëm, siç është liberalizimi i vizave”, ka thënë Muhaxhiri për Koha.net.
Muhaxhiri, merr shkas nga efekti i turit të kaluar të Veselit, për të thënë se meqë ai nuk rezultoi i efektshëm për të dhe për PDK-në – pasi në fund u detyrua t’ia ofronte postin e kryeministrit Ramush Haradinajt, si dhe të bënte kompromise të mëdha qeveritare me AKR-në dhe Nismën – është pak e besueshme që Veseli do të rrezikojë sërish me ndërmarrjen e një iniciative të ngjashme me premtime të drejtpërdrejta praktike ndaj qytetarëve, pasi aktualisht ka edhe më shumë pasiguri për pozicionimet elektorale sesa që kishte para zgjedhjeve të 11 qershorit.
“Do të ishte më pozitive për kryetarin e PDK-së që, përveç turit, ai të merrej me reformimin e mirëfilltë të strukturave të partisë, gjendja e tashme e të cilave nuk i garanton rehati zgjedhore”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas Muhaxhirit, mënyra e formimit të Qeverisë Haradinaj – me improvizime të mëdha dhe paqartësi fundamentale mbi shtyllat kryesore të bashkëpunimit mes PDK-së dhe koalicionit AAK-Nisma, është llogaritur si determinuese e nivelit të suksesit të saj.
“Ka qenë e pakuptueshme sesi një qeveri e tillë do të mund të merrte ‘Vendime të Mëdha’ pa i shkelur ndonjëri aleat parimet morale dhe qëndrimet politike të deritashme, pasi përbrenda strehohen kundërshti të plota për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale”, ka thënë Muhaxhiri.
Megjithatë, analisti Muhaxhiri ka folur edhe nëse kjo qeveri mund ta çojë deri në fund mandatin e vet.
“Kjo qeveri mund ta çojë mandatin deri në fund vetëm nëse LDK apo Lëvizja Vetëvendosja nuk dëshirojnë të vijnë në pushtet. Fragjiliteti i koordinimeve politike dhe mungesa e unitetit strategjik janë shenja të qarta për pamundësinë e afatgjatësisë së saj”, ka thënë Muhaxhiri, për Koha.net.
Nga ana tjetër, brenda vet Qeverisë janë shtuar zëra për të lënë në gjysmë këtë mandat. Hiç më pak se numri dy i Qeverisë, Behgjet Pacolli, ka kërcënuar se me partinë e tij, Aleanca Kosova e Re, do ta braktisë koalicionin nëse, siç ka thënë ai, nuk i gjendet zgjidhje demarkacionit. Çuarja përpara e vendimeve të mëdha të Kosovës, veçanërisht e marrëveshjes së demarkacionit ishin premtimet dhe kauza kryesore e qeverisë aktuale, mirëpo kryeministri Ramush Haradinaj ende nuk ka arritur të prodhojë rezultate karshi kësaj situate.
Pacolli, i cili edhe ishte një ndër faktorët kryesor në krijimin e kësaj qeverie, ka thënë se përgjegjësia bie mbi supet e kësaj qeverie, shkruan Koha.net.
“Nëse nuk ratifikohet demarkacioni dëmet do të jenë të pariparueshme. Do t’i humb kuptimi kësaj qeverie”, ka deklaruar Pacolli ditë më parë.
Edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin Interaktiv tha se Qeveria Haradinaj duhet ta ndërpresë punën dhe në vitin 2018 të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.
Por se një gjë e tillë mund të ndodhë dhe se turet e Veselit mund të çojnë drejt rrëzimit të Qeverisë Haradinaj, nuk e mendon Zenun Pajaziti, deputet nga PDK-ja.
Ai në Interaktiv tha se këto janë vetëm dëshira, pasi sipas tij, “opozita gjithmonë dëshiron të mbajë zgjedhje”.
Ka thënë se megjithatë, Qeveria Haradinaj do të mbetet.
“Nuk është se jemi të entuziazmuar me dinamikën e tashme, por çka do të prodhonin një palë zgjedhje të reja?”, ka thënë ai.
Një qasje tjetër për zgjedhje e sheh LDK-ja. Ish-kandidati i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e kaluara, ka thënë se vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje nëse demarkacioni kalon në versionin që e kishte nënshkruar Qeveria e kaluar. Avdullah Hoti, që tash është shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se deputetët e kësaj partie do ta votonin demarkacionin për ta çuar përpara të ardhmen e qytetarëve të Kosovës e për të sjellë liberalizimin e vizave.
Por, nëse bëhet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Hoti kërkon që pushteti t’i dorëzohet sovranit dhe ata të vendosin se kush duhet ta udhëheq tutje Kosovën drejt të ardhmes evropiane.
“Në përfundim të afatit për ratifikimin e demarkacionit, në mënyrë që kosovarët të lëvizin lirshëm në BE, nga Qeveria paralajmërohet gjetja e një ‘zgjidhjeje’. Është e qartë se me këtë ‘zgjidhje’ zyrtarët e Qeverisë ju referohen neneve të marrëveshjes së vitit 2015, të cilët garantojnë rishikimin e saj në rast se paraqiten fakte të reja. Ta kenë të qartë se nëse kjo ‘zgjidhje’ është ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015, kjo nuk mund të kalojë pa përgjegjësi për vonesën 3 vjeçare të liberalizimit të vizave, djegies së institucioneve dhe dëmtimit të imazhit publik të Kosovës”, ka thënë Hoti./Koha.net/
Vidhet një çantë me para në Graqanicë, policia po heton rast...
Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, arrestohet një person
Gramosi nga Prishtina, personazhi i dytë nga “xhuxhat” që u ...
Kore e Jugut/ Avioni përplaset me murin në aeroport, mbi 120...
Aeroplani i linjes Hamburg – Prishtinë, bën ulje të detyrues...
Haradinaj organizon pritje për veteranët e UÇK-së