Qeveria ende s’ka zëvendësim për Rikallon, PSD-ja thotë se s’bëhet pjesë e ekzekutivit

20:29 | 4 Shkurt 2019
Arbresh.info

Nenad Rikalo ende vazhdon të figurojë si ministër i Bujqësisë në ueb faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, dhe atë të Ministrisë së Bujqësisë, ani pse nga e shtuna kryeministri e ka liruar nga detyra me kërkesë të PSD-së.

KTV-ja merr vesh nga burime të afërta me zhvillimet se secila nga partitë e pushtetit po e synojnë atë dikaster, madje kanë nisur t’i çojnë edhe propozimet kryeministrit.

Por, në Zyrën e Kryeministrit thonë se ende nuk është vendosur se kush do të jetë ministri i ri që do ta pasojë serbin Nenad Rikalo.

As Rikalo e as ministrat e tjerë serb nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga mbledhjet e Qeverisë që prej 26 marsit të vitit të shkuar, si protestë ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit atë kohë.

Në Qeveri thonë se ende nuk ka vendim për ministrat e tjerë serbë.

Ndërkohë, partia që i vuri kusht kryeministrit shkarkimin e Rikalos, PSD-ja bën thirrje që në Ministrinë e Bujqësisë të emërohet një ekspert.

Në partinë e Shpend Ahmetit kanë thënë se po e shfrytëzojnë këtë Qeveri të dobët për të punuar për interesat e qytetarëve, por mohojnë se ka më tepër afri mes tyre.

Të shtunën, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar seancë nga paraditja deri pas mesnatës për të realizuar 5 kërkesat e PSD-së që ia kishin kushtëzuar votën për buxhetin e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme