Pavarësisht mospajtimeve të mëdha ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, që çoi drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe shpalljes së zgjedhjeve të reja të parakohshme, problemet me të cilat vendi do të vazhdojë të përballet, thonë njohës të rrethanave, do të jenë pothuaj të njëjta.
Sipas tyre mosmiratimi dhe mosprocedimi i çështjeve të rëndësishme, siç ishte ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, i ka dhënë fundin koalicionit qeverisës që, siç thonë ata, nuk ka funksionuar siç duhet.
Zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë u shpallën nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi për t’u mbajtur më 11 qershor, një ditë pasi Qeveria nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi të ngritur nga partitë në opozitë.
Mocionit iu bashkua edhe partneri në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas analistit Ramush Tahiri pretendon ta marrë “udhëheqjen e Qeverisë” dhe, sipas tij, “proceset e rëndësishme për vendin t’i çojë përpara’.
“Llogaritjet e PDK-së janë se me zgjedhje të parakohshme në këtë moment mund ta forcojë pozicionin e vet dhe mund ta marrë edhe pozitën e kryeministrit me disa parti më të vogla satelite”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Një analist tjetër në Kosovë, Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se “lidershipi i deritashëm në vend nuk i është qasur siç duhet çështjeve të rëndësishme”, por sipas tij, ‘sjellja e njërit partner në koalicion ngreh pikëpyetje të shumta’.
“Mosmarrëveshjet mund të jenë shpërfaqur në mënyrë të heshtur, mund të ketë pasur edhe shtyrje bërrylash brenda për brenda Qeverisë. Por ajo çka ndodhi, që është e paprecedentë, është bashkëngjitja në unison mocionit të opozitës nga partneri kryesor i koalicionit”, tha Hasani.
Rënia e Qeverisë e ka vënë Kosovën përpara sfidave meqë, siç thonë njohësit e rrethanave politike, ‘Qeveria e ardhshme duhet të vihet përballë konsolidimit të vendit’.
Analisti Ramush Tahiri thotë se reformat në drejtësi por edhe përmbushja e obligimeve për liberalizim të vizave, si dhe procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, janë sfidat e të ardhmes.
“Ligji dhe rendi, luftimi i krimit dhe korrupsionit këto janë çështjet që e bëjnë shtetin të funksionojë si shtet dhe që tranzicionin ta kalojë më lehtë. Sfidë kryesore është përshpejtimi i proceseve euro-atlantike ose euro-integruese të Kosovës dhe gjithashtu zhvillimi ekonomik. Ne kemi një rritje ekonomike, por nuk kemi investime të huaja”, tha Tahiri.
Për njohësin e rrethanave politike në vend, Ismajl Hasani, qeverisja e ardhshme duhet të merret seriozisht me çështjen e Demarkacionit dhe pastaj edhe me çështjet e tjera të rëndësishme për qytetarët dhe vendin në përgjithësi.
“Çështja e Demarkacionit është detyrë imediate e Qeverisë së ardhshme në çfarëdo varianti që ajo themelohet. Por në të njëjtën kohë, janë edhe problemet që janë të lidhura me Bashkësinë e komunave. Në të njëjtën kohë, edhe me problemet e tjera që Kosovës mund t’i shfaqen gjatë rrugës sepse skena politike në Kosovë përfundimisht është tronditur”, tha Hasani.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi një ditë pasi e shpërndau Kuvendin, përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të gjetur një datë të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme, që do të përputhej me kornizën ligjore.
Në takim nuk u paraqit askush nga partneri i deridjeshëm, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se nuk “e pranon si president’. Megjithkëtë, zyrtarët e LDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se “do të marrin pjesë në zgjedhje, dhe se data e zgjedhjeve është detyrë e Presidentit”.
Analisti Ramush Tahiri tha se nuk priten ndryshime të mëdha nga zgjedhjet e ardhshme pasi, sipas tij, nuk janë bërë reformat e duhura zgjedhore dhe “pak mund të ketë ndryshime në radhitjen e partive politike”.
“Gjasat janë që të ketë krizë institucionale, të mosbërjes së një Qeverie të konsoliduar jo vetëm të numrave por edhe përmbajtësore. Do të thotë se [nëse] mund të kemi një Qeveri, nuk pres që mandati i saj të zgjasë me shumë se dy vjet”, tha Tahiri.
Rënia e Qeverisë së Kosovë dhe nxitja e zgjedhjeve të reja të parakohshme, thonë analistët mund të sjellë vendin në një gjendje të ngjashme me atë të vitit 2014, kur bllokada politike zgjati më shumë se gjashtë muaj.
Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend.
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”