Google ADS

Qeveria e Kosovës pret largimin e EULEX-it

18:19 | 7 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Mandatit i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit – EULEX duhet të përmbyllet në qershor të vitit 2018, thonë përfaqësues të institucioneve të Kosovë.

Sipas tyre, Bashkimi Evropian nuk ka nevojë t’i vazhdojë mandatin EULEX-it, ngase institucionet vendore tashmë janë të gatshme t’i marrin dhe ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë nga fusha e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Misioni i EULEX-it, një prej misioneve më të mëdha të Bashkimit Evropian, u shtri në Kosovë, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, për të ndihmuar shtetin e ri në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova po hynë në një fazë ku mund të qeverisë e vetme vendin pa pasur nevojë për misione, siç është edhe EULEX-i.

“Ne po hymë në 10 vjetorin e qëndrimit të EULEX-it dhe punës së këtij misioni në Kosovë. EULEX gjatë kësaj periudhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme në forcimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të shtetit të Kosovës. Por, tani konsiderojë se Republika e Kosovës ka arritur të ndërtojë kapacitetet e veta mjaftë të fuqishme për ta qeverisur vendin, dhe kapacitete e tilla të cilat i kemi ndërtuar janë të mjaftueshme për të qeverisur Kosovën”, tha Tahiri.

Misionit të EULEX-it në Kosovë iu kishte ripërtëri mandati në vitin 2016. Autoritetet në Kosovë në atë kohë patën deklaruar se po punojnë që misioni ta përfundojë punën e tij brenda afatit prej dy vjetësh.

Ministri Tahiri, thotë se EULEX-i e përmbyll mandatin në qershor të vitit 2018 dhe se institucionet e vendit mund të qeverisin të vetme pa misione ndërkombëtare, vetëm më këshillëdhënie të miqve ndërkombëtarë.

“Ne si Qeveri e Kosovës për vitin e ardhshëm kemi ndarë mjete shtese edhe për Këshillin Gjyqësor edhe Këshillin Prokurorial në mënyrë që të gjithë ata prokurorë, gjyqtarë të cilët kanë qenë të zëvendësohen, dhe të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të mjaftueshëm që të zëvendësohen në të gjitha institucionet dhe që të mos ketë mungesë të resurseve njerëzore apo mungesë të stafit profesional”, thotë Tahiri.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, thekson se misioni i EULEX-it pas një punë të mirë që ka bërë në Kosovë duhet të përmbyll mandatin.

“Gjyqësori kosovar i ka energjitë dhe kapacitetet e nevojshme profesionale për tu përballur me sukses me sfidat që ka. Dëshiroj të potencoj se misioni i EULEX duhet të përfundojë pasi që ka ardhur koha që Kosova të përballet vet me problemet e saj si shtet i pavarur dhe sovran”, tha Peci.

Misioni EULEX në Kosovë, nuk u ka shpëtuar kritikave nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ky mision, është cilësuar në vazhdimësi si jo shumë efikas në trajtimin e rasteve të krimeve të rënda, në veçanti ato të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Për dallim nga institucionet e shtetit, Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, mendon se BE-ja mund t’ia vazhdojë sërish mandatin EULEX-it. Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se pritjet janë që mandati t’i vazhdohet këtij misioni, edhe pse, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte.

“Bazuar në atë që pritet të ndodh në Kosovë, e që lidhet me Gjykatën Speciale (për krime lufte) unë vlerësojë se mandati i EULEX do të zgjatet. Por, se a duhet të zgjatet? Unë mendoj se nuk duhet të zgjatet dhe nuk duhet të ketë atë detyrë që e ka pasur deri më tani, që ka qenë mandati për luftimin e disa veprave penale karakteristike, sepse deri më tani nuk pa pasur asnjë rezultat i cili është i prekshëm dhe që ka ndihmuar Kosovën që të bëjë një luftë të denjë kundër kriminalitetit”, tha Musliu.

Veprimet ligjore, sipas Musliut që do të ndërmerren në raport me Gjykatën Speciale do të kërkojnë një përfaqësues që do të mbështes gjithë procesin për këto raste.

Ndryshe, së fundi edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se ‘koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar’ dhe se tashmë ka ardhur koha, kur institucionet e Kosovës “duhet të sillen si zot shtëpie në vendin e tyre”.

Gjatë këtyre viteve të funksionimit në Kosovë, Misioni i EULEX-it ka qenë temë debati rreth disa aferave edhe në Bruksel.

Së fundit, Bashkimi Evropian ka konfirmuar hetimet në lidhje me akuzat për korrupsion në misionin e EULEX-it. Hetimet po zhvillohen ndaj ish-shefit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje. Po ashtu, BE-ja po heton edhe në lidhje me akuzat që Simmons i ka bërë ndaj EULEX-it, për korrupsion brenda këtij misioni.

Përderisa EULEX-i po e heton gjykatësin tashmë të larguar, edhe Simmons ka akuzuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë – EULEX, se nuk e ka luftuar korrupsionin, duke e arsyetuar këtë mosveprim me ‘ruajtjen e stabilitetit” në Kosovë, si një shtet ende i brishtë.

Dorëheqja e Malcom Simmons, paraqet rastin e dytë pas të cilit hapet çështja e korrupsionit në EULEX. Paraprakisht, prokurorja nga ky mision, Maria Bamieh, i kishte akuzuar kolegët e saj për marrje ryshfeti, çka i kushtoi asaj me shkarkim.

Viteve të fundit, misioni i EULEX-it është transformuar duke marrë më shumë karakterin e një misioni këshillëdhënës, monitorues dhe mentorues për institucionet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë./ Radio Evropa e Lirë/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme