Qeveria e Kosovës lë Ferizajn pa spital të ri

07:23 | 12 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim për të zhvendosur mbi gjysmë milioni euro të parapara për ndërtimin e Spitalit të Ferizajit për pajisje mjekësore për departamentin e mikrobiologjisë dhe për laboratorët testues. Për këtë vendim, ata paraprakisht nuk janë konsultuar edhe me punonjës të Spitalit të Ferizajit, të cilët janë të zhgënjyer nga ky vendim,

Tashmë një kohë të gjithat punëtorët shëndetësorë në Spitalin e Ferizajit, po detyrohen që të ofrojnë shërbime shëndetësore në një objekt i cili nuk ka kapacitete të mjaftueshme.

Premtimi që u është dhënë për ndërtimin e një spitali të ri, e funksionalizimin e tij në qershor të vitit të ardhshëm, u shkel dje nga ana e Qeverisë Hoti.

Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim që të zhvendos diku tjetër 527 mijë euro të parapara për spitalin e ri të Ferizajit.

Për këtë vendim, nuk ishin konsultuar punonjësit shëndetësorë në këtë spital, të cilët nuk e kanë pritur aspak mirë tërheqjen e buxhetit.

Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë për Express se spitali i ri ishte paraparë të përfundonte në qershor të vitit 2021, por që me tërheqjen e buxhetit, do të merr shumë kohë funksionalizimi i tij.

“Buxheti ka qenë i Ministrisë së Shëndetësisë, mjetet kanë qenë të dedikuara për ndërtim të spitalit dhe ne nuk kemi qasje në to. Nuk na kanë informuar për asgjë. Spitali ishte planifikuar të përfundohej në muajin qershor të vitit 2021”, ka thënë ai.

Zeqiri ka theksuar se është krejtësisht e pakuptimtë ndërprerja e buxhetit për ndërtimin e spitalit, kur nevojat e qytetarëve për të janë shumë të mëdha.

“Kërkesat dhe nevojat janë shumë të mëdha si për hapësirë si për shtretër. Kjo që ka ndodhur është shumë keq në aspektin organizativ edhe për banorët e Ferizajit. Ne jemi taksapaguesit numër një të arkës shtetërore dhe të ndërprehet buxheti kjo është e pakuptimtë, nuk është menduar mirë”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se e kanë shumë të vështirë të japin shërbime shëndetësore në hapësirën që kanë në objektin e vjetër.

Për këtë ata as nuk mund të shtojnë shërbime të reja.

“Gjatë kohës së pandemisë por edhe pas pandemisë ne me këtë hapësirë të vogël nuk mund t’i kryejmë shërbimet ashtu siç duhet, as nuk mundemi t’i shtojmë shërbimet për shkak të hapësirë”, ka shtuar ai.

Derisa Qeveria e Kosovës nuk do të ja kthejë buxhetin spitalit të ri, punonjësit shëndetësorë në këtë komunë do të detyrohen të punojnë me kapacitetet aktuale. Kësisoj, do të vazhdoj edhe referimi i pacientëve për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme