Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund ta shqyrtojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe derisa ta dekretojë Qeveria e Kosovës, thotë profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, njëherësh ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Rreth katër muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi në parim një draft-statut për formimin e këtij asociacioni, të cilin e hartoi Bashkimi Evropian. Ngjashëm e pranoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Atë duhet ta shqyrtojë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për të vërtetuar kushtetutshmërinë e tij, por Qeveria e Kosovës nuk ia ka përcjellë ende.
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë hapi i parë drejt harmonizimit të mundshëm të këtij statuti, pranimit përfundimtar të tij dhe themelimit të Asociacionit.
Asociacioni do t’iu sigurojë, pastaj, serbëve në Kosovë të drejta më të mëdha në vendimmarrje dhe menaxhim.
Më 29 shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i bëri edhe një herë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta përcjellë draft-statutin te Gjykata Kushtetuese.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës se pse nuk e ka përcjellë ende dhe kur do ta bëjë këtë, por nuk mori përgjigje.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha të premten se BE-ja nuk është kompetente t’i propozojë Kosovës draft- statut për formimin e Asociacionit, por se e kupton kërkesën e ambasadorit amerikan për t’ia përcjellë atë Gjykatës Kushtetuese.
“Ndoshta, zoti Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft për Asociacionin. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e keni kuptuar ju”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Profesori Kryeziu thotë se dinamika e këtij procesi, në fakt, varet nga Qeveria dhe kryeministri Kurti.
Politologu serb, Ognjen Gogiq, thotë se teksti i draft-statutit, fillimisht, është dashur të dakordohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Çfarë tha Kurti për draft-statutin?
Rreth dhjetë ditë pasi të dërguarit ndërkombëtarë u dorëzuan palëve draft-statutin, në tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumenti është shkruar me kujdes, në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Po ashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta shqyrtojë atë.
Por, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Kurti tha se Kosova duhet të jetë autore e statutit dhe sugjeroi që atë ta shkruante vetë, në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Kjo deklaratë ishte reagim ndaj një mesazhi të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës.
Përndryshe, draft-statuti që iu dorëzua Kosovës dhe Serbisë, u hartua nga BE-ja, pasi palët e pranuan paraprakisht Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, po ashtu, u propozua nga BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut.
Më pas, në janar të këtij viti, Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioriteti kryesor” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se çështja e statutit nuk duhet të ndahet nga marrëveshja.
Hovenier pret hapin e parë
Në një bashkëbisedim me gazetarët e disa mediave në Kosovë, përfshirë ekipin e REL-it, më 29 shkurt, ambasadori amerikan, Hovenier, tha se pret që Qeveria e Kosovës ta iniciojë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Hapi i parë është që ta përcjellim statutin, që tashmë e kemi, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim dhe konfirmim”, tha ai dhe shfaqi shpresën që diçka e tillë të ndodhë sa më shpejt.
“Do të merrej përgjigjja nëse [statuti] është kushtetues ose jo, a ka kompetenca ekzekutive apo jo… Ne mendojmë se këtë vlerësim mund ta japë vetëm Gjykata [Kushtetuese]. Kjo do të krijonte një dinamikë tjetër, si dhe përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet e saj”, tha Hovenier.
Ai ia dërgoi këtë mesazh Qeverisë së Kosovës në kohën kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit nuk janë më të mirat, sepse Kurti refuzon ta pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore shprehën shqetësimet e tyre se kjo rregullore mund të ndikojë negativisht te komuniteti serb në Kosovë, i cili pranon në dinarë të ardhura të ndryshme nga buxhet i Serbisë.
Kryeziu: Fillimisht dekretimi e më pas vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se dinamika rreth vlerësimit të statutit për Asociacionin varet vetëm nga Qeveria e Kosovës.
Ai shton se formimi i këtij asociacioni është “obligim kombëtar dhe ndërkombëtar i saj”.
“Kur them obligim kombëtar, e them për faktin se ajo marrëveshje [për Asociacionin] ka kaluar në Kuvend dhe është ligj. Të gjitha ligjet që miratohen në Kuvend, Qeveria duhet t’i zbatojë, në mënyrë që ky të jetë një shtet ligjor”, thotë Kryeziu.
Ai thekson se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund ta shqyrtojë një dokument që nuk është akt apo vendim.
“Draft-statuti duhet të kalojë në Qeveri, të bëhet vendim dhe pastaj të dekretohet nga kryeministri. Më pas, si dokument i vlefshëm, i paraqitet Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk ka autoritet dhe të drejtë të vendosë, nëse nuk i drejtohen me kërkesë”, shpjegon Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Ai thotë se e ka parë draft-statutin dhe se ka vënë re disa dispozita “problematike”, siç është përmendja e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por shton se Gjykata Kushtetuese duhet ta vlerësojë atë dhe të japë rekomandime të mundshme për harmonizim.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e dha opinionin e saj për Marrëveshjen mbi parimet në bazë të të cilave do të formohej Asociacioni. Asokohe, kjo marrëveshje nuk u refuzua, por u tha se mospërputhjet me Kushtetutën mund të harmonizohen.
Gogiq: Është dashur dakordim paraprak
Politologu Ognjen Gogiq thotë se teksti i statutit është dashur të dakordohet nga të dyja palët, para se të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Gogiq thotë se nëse kjo gjykatë nxjerr rekomandime të reja, Serbia mund t’i refuzojë ato.
“Të gjitha palët po e anashkalojnë procedurën e paraparë. Kështu, të gjithëve u mundësohet relativizimi dhe gjetja e mangësive ligjore. Është një procedurë e pakuptimtë t’ia lejosh [relativizimin] kujtdo”, thotë Gogiq.
Ai shton se Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet për të filluar procesin e formimit të Asociacionit dhe se “statuti do të mbahet në sirtar sa më gjatë që është e mundur”.
Gogiq, gjithashtu, thekson se Asociacioni nuk mund të formohet pa pëlqimin e Qeverisë së Kosovës, sepse ka disa përgjegjësi që duhet t’i barten asaj.
Çka parasheh draft-statuti për Asociacionin?
Draft-statuti për formimin e Asociacionit u hartua nga zyrtarët evropianë dhe parasheh që serbët në Kosovë të kenë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, ashtu edhe siç u ra dakord me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.
Në atë dokument thuhet se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se nuk do të kërcënojë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.
Megjithatë, dokumenti i referohet, mes tjerash, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ky draft-statut, gjithashtu, parasheh mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efektiv të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.
Pjesa e draft-statutit që u referohet kompetencave të Asociacionit, saktëson se ky organ ka të drejtë të marrë vendime, rregullore, udhëzime dhe deklarata.
Po ashtu do të ketë autoritet të plotë, në nivel lokal, në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.
Kur bëhet fjalë për financimin, parashihet që Asociacioni ta ketë buxhetin e tij, të cilin do ta menaxhonte “me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente”.
Gjithashtu, specifikohet se Asociacioni duhet të ketë llogari në një bankë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale