Qeveria del me njoftim zyrtarë për Trepçën, nuk premton ekzekutimin e pagave

09:50 | 1 Gusht 2024
E.K

Qeveria e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me situatën në ndërmarrjen Trepça Sh.A. Në këtë komunikatë, nuk është përmendur ndonjë detaj në lidhje me ekzekutimin e pagave për punëtorët, një kërkesë kryesore për rifillimin e punës.

Sipas njoftimit, Qeveria ka kërkuar angazhim nga Trepça për të ulur shpenzimet dhe për të rifilluar prodhimin.

Qeveria pret nga ndërmarrjet dhe udhëheqësit e tyre që të ndërmarrin masa për të përmirësuar kontrollin e brendshëm operativ dhe financiar, si dhe të realizojnë reforma të thella që do të transformojnë mënyrën e funksionimit të tyre.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen Trepça Sh.A., si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike. Përkrahja nënkupton mbështetje për zhvillim dhe rritje të potencialit të plotë ekonomik.

Nga ndërmarrjet dhe udhëheqja e tyre, Qeveria e Republikës së Kosovës pret marrjen e masave që rrisin kontrollin e brendshëm operativ e financiar, si dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre.

Pavarësisht mbështetjes që Qeveria i ka dhënë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërmarrja Trepça Sh.A. ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.

Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin.

Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes.

Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi.

Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes.

Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre.

Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.

Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme