Google ADS

Qershori mund t’i sjellë aktakuzat e para nga Specialja

08:21 | 21 Shkurt 2019
Arbresh.info

Muaji qershor mund t’i sjellë aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, teksa vlerësohet se edhe liderët shtetërorë mund të jenë të ftuar nga Gjykata Speciale. Ndërkohë ish-gjenerali i UÇK-së Lahi Brahimaj do të intervistohet nga prokurori i specializuar më 1, 2 dhe 3 mars të këtij viti, shkruan Gazeta “Zëri”.

Në qershor të këtij viti Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës Speciale mund t’i ngrejë aktakuzat e para si pasojë e dëshmive të mbledhura tashmë disa vite.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë që puna e Gjykatës Speciale po shkon duke u intensifikuar dhe numri i ftesave do të rritet në muajt në vazhdim. Sipas tyre, në mesin e të ftuarve të Speciales do të jenë edhe persona të cilët janë përmendur në raportin e senatorit Dick Marty, e rrjedhimisht ftesë mund të marrin edhe liderët shtetërorë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ndërkohë vargut të ftesave nga Gjykata Speciale më 11 shkurt të këtij viti i është shtuar edhe emri i ish-gjeneralit të UÇK-së Lahi Brahimaj, i cili do të dalë para prokurorit të specializuar më 1, 2 dhe 3 mars. I kontaktuar për këtë çështje Brahimaj për “Zërin” ka thënë se nuk mund të japë detaje për formën e intervisitmit të tij ose për datën e intervisitmit pasi tashmë kjo çështje është në dorën e avokatit të tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme