Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ditë më parë në një konferencë për media pati prezantuar një raport të detajuar rreth gjendjes ekzistuese të hapësirave shkollore dhe hapësirave shtesë që janë të nevojshme për realizimin e mësimit tërëditor në gjithë vendin.
Ministri Bytyqi pati thënë se Kosova ka 1175 ndërtesa shkollore dhe në shumicën e objekteve punohet me dy ndërrime.
“Për të realizuar mësimin tërëditor në të gjitha shkollat e Kosovës, nevojiten edhe 142 objekte të reja shkollore dhe 85 anekse, si dhe 218 salla të sportit. Sipas kalkulimeve, vlera investive e hapësirës së nevojshme shkollore shtesë është rreth 371 milion euro. Një ndër qëllimet e projektit qeverisës, ka qenë futja e mësimit tërëditor në Kosovë, mirëpo nga vet fakti se ne kemi mungesë të shkollave në Kosovë, kemi vendosur që të gjejmë saktë se sa shkolla na duhen për të kompletuar infrastrukturën shkollore për të filluar me aplikimin e mësimit tërëditor”, kishte thënë ai.
Sipas ministrit qëllimi i mësimit tërëditor, është që të ngritet cilësia në arsimin parauniversitar.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se nëse fëmija qëndron 8 orë në shkollë nuk prodhon medoemos rezultat pozitiv.
“Duhet kushtuar kujdes programit që ofrohet pas orëve të rregullta të mësimit. Kjo varet nga mjedisi. Në disa zona ku fëmijët nuk e kanë mjedisin e përshtatshëm për të mësuar në shtëpi, mund t’u ofrohet ndihmë në bërjen e detyrave të shtëpisë dhe përvetësimin e përmbajtjeve mësimore. Në disa vende të tjera, me fëmijë duhet punuar në përfitimin e shkathtësive të buta siç janë shkathtësitë e planifikimit, të menduarit kritik, e të ngjashme. Diku tjetër, mund të përforcohet të mësuarit e gjuhëve të huaja ose leximi”, ka thënë ai.
Sipas Pupovcit hapësira nuk është problemi kryesor i mësimit tërëditor.
“Duhet pilotuar me kujdes këtë qasje para se të bëhen investime të mëdha. Në Kosovë ka numër të konsiderueshëm të shkollave që kanë hapësirë të mjaftueshme për mësim tërëditor dhe aty mund të zhvillohen aktivitetet fillestare, të cilat duhet të përcillen. Pastaj, varësisht nga rezultati, mësimi tërëditor mund të zgjerohet edhe në shkolla të tjera dhe të ndërtohen objekte të reja për të bërë të mundur zhvillimin e mësimit tërëditor”, ka theksuar ai.
Kundër mësimit tërë ditor është shprehur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
SBASHK-u e konsideron këtë si një eksperiment të ri e të dëmshëm ndaj sistemimit arsimor në Kosovë.
“Kjo sindikatë kërkon nga MASHT dhe ministri Bytyqi që hapat për mësimin tërë ditor dhe idenë që më këtë lloj mësimi të fillohet në disa shkolla që nga viti i ardhshëm shkollor t’i analizojnë mirë dhe të vërejnë se një praktikë e tillë në vendet e Evropës nuk është obligative për të gjithë nxënësit”, thuhet në reagimin e tyre. /V.Berisha/arbresh.info/
Qeveria shqiptare miraton bonusin e fundvitit, përfitojnë mb...
Arben Krasniqi, emërohet sekretar i përgjithshëm në zyrën e ...
Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën dhe “...
Kadetët e FSK-së përfundojnë marshimin 12.8 kilometra
Haradinaj e nis ditën në Boletin: Isa Boletini frymëzim për ...
Xheneta e Gjesti gjejnë paqe, puthen në pishinë!