Google ADS

Qalaj: Policia është reaguesi i parë, nëse duhet të merret leja nga ndërkombëtarët, është e gabuar

11:02 | 30 Shtator 2023
E.H

Pas sulmit terroristë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku dhe u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan dy të tjerë, kryeministri i Shqipërisë bëri thirrje që të rritet numri i forcave të KFOR-it në veri.

Mirëpo, kjo deklaratë e tij nuk u prit mirë, sidomos nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një intervistë për mediat boshnjake, Kurti u shpreh se kudo në Kosovë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.

“Për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës. Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë, e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, u shpreh Kurti.

Thuajse njëjtë si i pari i Qeverisë së Kosovës mendon edhe ish- drejtori i Policisë së Kosovës, njëherit edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK),Rashit Qalaj.

Ai në një intervistë për Arbresh.info thotë se duhet të rritet prania e pjesëtareve policorë në veri.

“Po pa dyshim është shumë e nevojshme që prezenca policore atje dhe e institucioneve të tjera të sigurisë të rritet duhet të ketë më shumë pjesëtar dhe po ashtu duhet të ketë shumë më shumë ushtar të KFOR-it”, pohon Qalaj.

Sipas tij, duhet të rritet prezenca e Policisë së Kosovës në atë pjesë, që bandat kriminale të mos kenë mundësi të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Mendoj që ata e kanë obligim që ta rrisin prezencën përgjatë kufirit me Serbinë në mënyrë që të parandalohen bandat kriminale serbe që të hynë në territorin e Kosovës”, tha Qalaj.

Sa i përket opsionit për sigurinë e njerëzve në atë pjesë, ai shton se në veri është një situatë e komplikuar.

“Atje kemi situatë shumë të kompiluar, mendoj që vetëm pjesëmarrja e njësive të policisë dhe KFOR-it, duhet të jetë më e madhe por edhe angazhimi politik duhet të jetë që të mos përsëriten incidente të tilla”, thotë deputeti.

Se çfarë duhet të bëj më shumë shteti në aspektin e sigurisë, Qalaj, thotë se nuk ka çfarë të bëjë tjetër përveç që të angazhojë institucionet e veta të sigurisë.

“Shteti nuk ka çfarë të bëj tjetër nga aspekti sigurisë, po ashtu duhet të angazhojë institucionet e veta të sigurisë dhe po ashtu partnerët tanë strategjik , EULEX dhe KFOR, duhet të rritet puna dhe vigjilenca e agjensionit kosovar të inteligjencës, ndërsa në aspektin politik duhet që ndërkombëtarët të shtojnë përpjekjet për një arritje të marrëveshjes finale, që sipas meje tani më shumë është që duhet ta ketë njohjen me vete”, shprehet Qalaj.

Ai po ashtu thotë që Policia është reaguesi i parë, duke shtuar se nëse duhet të marr leje nga institucionet ndërkombëtare atëherë është e gabuar.

“Policia është reaguesi i parë, përgjegjësi i parë për sigurinë, duhet të ketë mbështetje nga ndërkombëtarët, koordinimi varët se si kuptohet. Nëse kuptohet që njësia speciale të merr leje nga institucionet ndërkombëtare mendoj që është e gabuar, situata në teren ka ndryshuar, por nëse koordinimi kuptohet si një bashkëpunim atëherë është në rregull”, thekson Qalaj.

Ndryshe, Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë të enjten tha se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

Kjo deklaratë e tij erdhi pas sulmit të 24 shtatorit, një grupi armatosur serbë sulmuan zyrtarët e Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan dy të tjerë.

Nga sulmet e vazhdueshme mes Njësisë Speciale të Kosovës dhe sulmuesve terroristë serbë gjatë gjithë ditës së diele, u vranë tre terroristë, ndërsa policia ka arritur t’i arrestojë tetë persona të dyshuar, katër prej tyre janë liruar në mungesë të provave nga Prokuroria Speciale.

Njësia Speciale Policisë së Kosovës, ka parandaluar një sulm terrorist, të cilët kishin për qëllim marrjen e pjesës veriore nën kontrollin e Serbisë.

Gjatë zhvillimit të ‘luftimeve’ po ashtu u gjeten një sasi e madhe e armëve ushtarake, të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës e më pas janë ekspozuar për qytetarët./Arbresh.info./Pleurat Salihu /

Të ngjashme