PZAP pranon 354 ankesa, shqipton gjoba në vlerë prej 352 mijë e 400 euro

13:39 | 16 Qershor 2017
Arbresh.info

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar sa ankesa janë parashtruar gjatë procesit zgjedhor të 11 qershorit.

Kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku ka thënë se deri në këtë fazë në PZAP janë dorëzuar 354 ankesa dhe apele, shkruan arbresh.info.

“Ankesa e dorëzuara janë si në vijim: para fushatë janë 20 ankesa, lidhur me fushatën janë dorëzuar 182 ankesa, me heshtjen zgjedhore 81 ndërkaq në ditën e votimit janë dorëzuar 61 ankesa”, ka thënë Desku.

Sipas tij, natyra e ankesave ka të bëjë me vendosjen e posterëve, blerje e votës, largim nga lista e kandidatëve për deputetë, gabime në të numëruar, asistim për votim, çrregullim i tubimeve, fotografim i votës, presion tek votuesit, kërcënime etj.

Subjektet që kanë paraqitur më së shumti ankesa janë Instituti i Kosovës për Demokraci, Demokracia Plus, koalicionet LDK-AKR-Alternativa, PDK-AAK-NISMA, Lëvizja Vetëvendosje etj.

Ndërkaq, ankesat janë bërë në drejtim të koalicioneve PDK-AAK-NISMA e LDK-AKR-Alterntiva, Lëvizja Vetëvendosje, KQZ-ja, disa parti të komuniteteve dhe mediumit Klan Kosova.

PZAP ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike për shkak se kanë thyer kodin e mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, në shumë prej 352 mijë e 400 euro.

Gjobat janë si në vijim:

PDK-AAK-NISMA është gjobitur me 157 mijë e 700 euro

LDK-AKR-Alternativa është gjobitur me 71 mijë e 700 euro dhe

Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 66 mijë euro

Andan Konushefci, anëtar në PZAP tha se vlera e gjobave të shqiptuara këtë vit është dukshëm më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2014 ku ishin dhënë gjoba në vlerë të përgjithshme prej 68 mijë euro.

Sa i përket ditës së zgjedhjeve ai tha se janë pranuar 7 ankesa të cilat janë refuzuar në mungesë të provave.

Ndërkaq sa i përket rasteve të dorëzuara në Prokurori derisa në zgjedhjet e vitit 2014 ka pasur 45 raste, në zgjedhjet e sivjetme është dorëzuar vetëm një./Arbresh.info.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme